Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, gjatë një konferencë për shtyp në prag të Vitit të Ri, u shpreh se 2022 mund të sjellë fundin e pandemisë së koronavirusit, i cili ka marrë miliona jetë rreth e përqark globit.
Ghebreyesus përsëriti edhe njëherë thirrjen se bota tashmë i ka mjetet që t’i japë fund kësaj fatkeqësie dhe kërkoi shpërndarjen e sa më shumë vaksinave, pasi sipas tij pabarazia do ta zgjasë më shumë pandeminë.
“Dy vjet më vonë, mjetet në dispozicion për të luftuar Covid-19 mbeten të shpërndara në mënyrë të pabarabartë në të gjithë botën. Në Afrikë, tre në katër punonjës të kujdesit shëndetësor mbeten të pavaksinuar, ndërsa njerëzit në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara po marrin doza të treta përforcuese. Ky hendek ka bërë që shanset për shfaqjen e varianteve të reja më të mundshme, duke na mbyllur në një cikël humbjesh të vazhdueshme, vështirësish dhe kufizimesh. Nëse i japim fund pabarazisë, i japim fund pandemisë dhe i japim fund makthit global që kemi jetuar të gjithë”, deklaroi Ghebreyesus./A2CNN/