Driton Lajçi, njohës i diplomacisë ka thënë se në komunikim me miqtë, siç është presidenti Macron dhe vet Franca, duhet t’i kemi fjalët më të zgjedhura dhe jo automatikisht t’i vendosim në tabelë qitje.
“E dimë se presidenti Macron është presidenti i parë i cili viziton Shqipërinë zyrtare që nga viti 1912 . E viziton një nga vendet e cila ka ruajtur trashëgiminë e frankofonisë në Ballkan. Dhe ky është një vlerësim që i bëhet Shqipërisë.Deklarata e presidentit Macron sigurisht se duhet diskutuar dhe analizuar. Së pari duhet parë a është deklaratë politike dhe e dyta a ka folur si anëtar i Bashkimit Evropian, një prej vendeve më të rëndësishme të BE-së, apo si pjesëtar i planit franko-gjerman, të cilët e kanë ndërmjetësuar dakordimin në Ohër”, ka thënë Lajçi në RTK.
Ai tha se me aq sa ka njohuri rreth procesit të liberalizimit të vizave, Macron nuk mund të flasë në emër të BE-së, por ka thënë se fjalët e tij si një burrështetas kanë peshë dhe prezantojnë qëndrimin zyrtar të shtetit të tij.
“Unë për aq sa e kam kuptuar ai nuk mundet ta suspendojë liberalizimin e vizave. Mundet me e marrë iniciativën, pastaj ka punë aty, pasi duhet lobuar, së paku duhet ta bind partnerin kryesor që është Gjermania, e aty janë edhe Holanda e shumë vende tjera, në mënyrë që ta sjellë në Parlamentin Evropian re-evokimin e liberalizimit të vizave. Prandaj, kjo punë merr kohë”, ka deklaruar ai.
Sipas tij kjo më shumë është deklarate politike, e cila ka të bëjë me zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. “Unë sa e kam kuptuar është se ai e ka përdorur në gjuhen franceze fjalën suspendim . Është suspendim i atij besimit që i kanë dhënë Qeverisë së Kosovës dhe i kanë dhënë kohë që t’i zbatojnë ato kushte që i ka caktuar Bashkimi Evropian. Për mua është suspendim i atij besimi, nuk është suspendim i liberalizimit të vizave”, ka shtuar Lajçi.
Megjithatë, edhe ai ka thënë se kjo deklaratë e Macronit duhet të merret seriozisht, pasi është një vërejtje serioze e cila vjen prej një vendi të fuqishëm sikurse është Franca.