8.7 C
New York
Monday, November 25, 2024

Buy now

Lajçakut pritet t’i zgjatet mandati deri në fund të janarit 2025

- Advertisement -

Gati minimale janë gjasat që të ketë lëvizje të rëndësishme në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE), pavarësisht zgjatjes së mandatit të Emisarit Special të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, i cili është dashur ta fillojë mandatin e ri si ambasador në Zvicër më 1 shtator të këtij viti.

Gjatë një vizite të paparalajmëruar në Prishtinë të mërkurën e 18 qershorit, një prej protagonistëve kryesorë që mbulon pjesën më të madhe të përpjekjeve evropiane për të gjetur “formulën e zgjidhjes” në kuadër të dialogut midis dy fqinjëve armiqësorë, njoftoi se i është kërkuar që të mbetet në pozitën e të dërguarit special të BE-së deri në fund të janarit të vitit 2025.

Toby Vogel, ekspert i politikës së jashtme të BE-së nga Këshilli i Politikave të Demokratizimit (DPC) në Bruksel të Belgjikës, përveç shprehjes së dukshme të skepticizmit për progres konkret, vlerëson se procesi i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë pritet të matet edhe në kontekstin e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) në nëntor 2024.

Një prej vëshguesve të njohur të zhvillimeve në rajon, pavarësisht përpjekjeve për të çuar para procesin e dialogut dhe zbatimin e marrëveshjeve, thekson se arsyeja që nuk pritet lëvizje thelbësore përgjatë mandatit të zgjatur të Lajçakut është se Kosova është përballë zgjedhjeve të parakohshme, kurse qasja e BE-së ndaj Serbisë mbetet e pandryshuar.

“Mandati i Lajçakut zgjatet për të siguruar vazhdimësinë e funksionit e financimit dhe për të lejuar Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri të vendosë nëse dëshiron të mbajë akoma zyrën apo të veprojë vetë në funksionin e ndërmjetësuesit, ashtu sikurse ndodhi përgjatë këtij mandati”, u shpreh Vogel duke komentuar rreth zhvillimeve të reja.

E pas më shumë se 10 muaj pa takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut, kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç, do të takohen më 26 qershor 2024 në kryeqendren politike evropiane për t’i vazhduar negociatat. Dy liderët e Kosovës dhe Serbisë u takuan për herë të fundit më 14 shtator të vitit 2023, por nuk arritën kompromis.

Një dozë të theksuar skepticizmi për arritjen e rezultateve konkrete e shpreh edhe ligjëruesi universitar në Adger të Norvegjisë, Abit Hoxha, i cili nënvizon se pothuajse asnjë lëvizje thelbësore në kuadër të dialogut nuk mund të pritet në rrethanat aktuale, pavarësisht zgjatjes së mandatit të diplomatit sllovak.

“Pritja që Lajçaku të arrijë diçka konkrete në formën e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi është shumë e ulët – në fakt, vazhdimi i mandatit tingëllon më shumë si vazhdim i punësimit e jo vazhdim i punës… ndërmjetësimi i BE-së ka qenë njëfarë dështimi inkremental që ka ushqyer idenë e dialogut, por në esencë, çdo shtyerje e procesit të dialogut është deshtim”, deklaron ai.

Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për rrugën drejt normalizimin e marrëdhënieve nën mandatin e Lajçakut vitin e kaluar. Megjithatë, diplomatët evropianë, përkundër mbështetjes së SHBA-së, ende nuk kanë arritur t’i bindin palët ta zbatojnë të njëjtën. Vogel konsideron se për dështimin e deritanishëm duhet fajësuar politika BE-së e SHBA-së në rajon.

“Problemi s’ka qenë asnjëherë personaliteti i emisarit special apo përfaqësuesit të lartë – ndonëse ata sigurisht që nuk kanë ndihmuar – por problemi është strukturor. BE-ja dhe SHBA-ja ndërtuan një qasje të tërë ndaj Ballkanit Perëndimor rreth vijave të kuqe të Vuçiçit. Për sa kohë që kjo nuk ndryshon, unë shoh pak perspektivë për rifillimin kuptimplotë të dialogut”.

Përderisa terreni i kërkimit të madh për “përgjigjet” dhe “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë javën tjetër, mbetet për t’u parë nëse lista e skenarëve të dhunës që mund të rezultojnë për shkak çështjeve të hapura dhe tensioneve ekzistuese ose nënprodukteve të “pasioneve maniçeane” do të zgjerohet apo Kosova dhe Serbia do të fillojnë zbatimin e marrëveshjeve. /AP/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit