Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do të vazhdojë të ushtrojë këtë post deri në fillim të vitit që vjen.
Kjo pasi që ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimti Evropian janë pajtuar që Lajçkut t’i vazhdohet mandati deri në fund të janarit të vitit 2025.
Konfirmimi për vazhdimin e mandatit të tij në menaxhimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë vjen disa muaj pasi që Lajçak ishte emëruar për ambasador të Bashkimit Evropian në Zvicër – post ky që ai duhej ta merrte që nga muaji shtator.
Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell ka bërë kërkesë për vazhdimin e mandatit të tij, ndërsa qëllimi i këtij vendimi është që të sigurohet që mos të krijohet vakuumi në këtë post, deri sa të emërohet pasardhësi i Lajçakut.
E për pasardhësin e Lajçakut duhet të vendosë pasardhësja e Borellit.
Kaja Kallas e nominuara për shefe të diplomacisë evropiane duhet së pari të merr përsipër postin e ri, në fund të vjeshtës, e më pas të merret me emrat potencial për emisarin e ri në dialog.
Ndonëse akoma asgjë nuk është e sigurtë, janë dy emra që momentalisht përmenden si kandidatë potencial për postin e Lajçakut: danezi Peter Sorensen, ish-ambasador i BE-së në Bosnjë e Hercegovinë si dhe Pekka Haavisto ish-ministër i jashtëm i Finlandës.
Përderisa nuk përjshtohet mundësia që BE të këtë ndryshime në qasje ndaj dialogut, diplomatët e Bashkimit Evropian tërheqin vërejtjen se mbesin detyrimet e vjetra të palëve.
Kjo para se gjithash ka të bëjë me vazhdimin e insistimit se si Prishtina ashtu edhe Beogradi duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut./RTK