Emisari evropian i ngarkuar me lehtësimin e dialogut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka njoftuar për një takim me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të cilin kanë biseduar, siç tha ai, për rrugën përpara në dialog si dhe rreth nevojës për të zbatuar Marrëveshjen Bazë bashkërisht me zbutjen e tensioneve në veri të Kosovës.
Lajçaku, ditë më parë, ishte objekt e kritikave më të rënda që nga kur është caktuar për lehtësues dhe ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi, nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cili e akuzoi dhe denoncoi hapur për një, siç pretendon ai, konspirim mes tij dhe presidentit serb për të jetësuar “vetëm gjysmën” e Marrëveshjes Bazë, përkatësisht përmbushjen veç të kërkesave serbe që ëshrtë Asociacioni i Komunave të banuara me shumicë serbe.
Lajçakut i kanë dalë në mbështetje të palëkundur Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Diskutim i rëndësishëm me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, rreth rrugës para në dialog në Margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. U pajtuam rreth nevojës për të çuar para zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe rëndësinë e uljes së tensioneve”, ka shkruar Lajçak në rrjetin “X”.