Home Lajme Lajçak: Sulmet ndaj meje më të dëmshme për ata që i bënë – Qeveria e re ta ketë në mendje: Asociacioni është aty

Lajçak: Sulmet ndaj meje më të dëmshme për ata që i bënë – Qeveria e re ta ketë në mendje: Asociacioni është aty

0
Lajçak: Sulmet ndaj meje më të dëmshme për ata që i bënë – Qeveria e re ta ketë në mendje: Asociacioni është aty

Diplomati sllovak, Miroslav Lajçak, sot ka ditën e fundit në krye si emisar i dialogut Kosovë-Serbi, që e udhëhoqi gati pesë vjet. Në një intervistë të fundit për Gazetën Express, ai rrëfeu se si ishte të qëndronte në mes të tensioneve të dy fqinjëve që po synojnë të pajtohen pas një konflikti të gjatë.

“Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq kanë sfonde dhe pikëpamje shumë të ndryshme”, thotë ai.

Prandaj, thotë Lajçak, nuk ishte për t’u habitur që u bë mjaft e qartë që herët se pikëpamjet e kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq se si të çohej përpara procesi i normalizimit ishin diametralisht të kundërta.

Lajçakun, po aq sa shefin e tij Josep Borrell, gjatë gjithë këtij procesi e përcollën akuzat për njëanshmëri për shkak se vijnë nga shtete që s’e njohin Kosovën shtet. Një akuzë direkte ia kishte bërë edhe kryeministri Albin Kurti.

Në ditën e tij të fundit, Lajçak vendosi t’iu përgjigjet të gjithë kritikave mbi këtë çështje. Jo pa thumbuar.

“Nuk e marr personalisht. Unë kam integritetin dhe reputacionin tim të ndërtuar përmes punës së palodhur gjatë shumë viteve. Liderët në BE, SHBA dhe më gjerë më njohin mirë gjatë gjithë karrierës sime. Prandaj, nëse unë sulmohem personalisht nga disa që sapo kanë hyrë në qeveri dhe po ndërtojnë pozitën e tyre ndërkombëtare – sulme të tilla mund të jenë më të dëmshme për ta në fund të ditës”.

Marrëveshjen e dakorduar mes Kosovës dhe Serbisë, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, Lajçak e konsideron historike. Për ngecjen në zbatim, ai tha se ka besim shumë të ulët nga palët se do të marrin atë që u është premtuar.

“Për fat të keq, besimi mes Kosovës dhe Serbisë është aq i ulët saqë askush nuk e besoi se nëse bëjnë atë që u kërkohet, do të marrin atë që u është premtuar”.

Për pikën e nxehtë të marrëveshjes, Asociacionin, Lajçak edhe në fund tentoi t’ia heqë drojën qytetarëve të Kosovës se ai do t’i ngjajë një Republika Srpska që i shkakton vazhdimisht probleme shtetit të Bosnje e Hercegovinës.

“Unë e kuptoj frikën e njerëzve, veçanërisht sepse ky argument është (keq)përdorur nga shumëkush. Për mua ishte gjithmonë e rëndësishme të propozoja diçka, e cila do të ishte e pranueshme në çdo vend tjetër europian”.

Megjithatë, Lajçak bëri me dije që qeveria e re e Kosovës që do të dalë nga zgjedhjet duhet ta ketë në mendje: [Asociacioni] Si i tillë, nuk hiqet.

Me Administratën Trump në Uashington, e cila qysh në ditët e para trazoi shumë liderë europianë me qasjen e ndërruar karshi kontinentit, mund të pritet ndryshim të qasjes edhe për procesin e pajtimit mes dy fqinjëve ballkanikë.

Në pyetjen nëse do të vazhdojë bashkëpunimi i njëjtë i Brukselit dhe Uashingtonit për dialogun Kosovë-Serbi, Lajçak nuk foli më shumë bindje. Por, me shpresë tha se beson që pasardhësi i tij, danezi Peter Sorensen do të jetë i suksesshëm në këtë drejtim.

“Nuk dua të spekuloj për bashkëpunim nëtë ardhmen, por besoj se edhe pasardhësi im do të vendosë marrëdhënie të mira”.

Lajçak përsëriti se nuk ka rrugë tjetër për Kosovën e Serbinë për t’u bërë anëtare të Bashkimit Europian përveç pajtimit. Prandaj, Lajçak pati një porosi për liderët në Prishtinë e Beograd.

“Qytetarët tuaj ju zgjodhën për të punuar drejt së ardhmes suaj në BE, jo për ta ndryshuar të kaluarën tuaj”.

Gazeta Express: Kanë kaluar gati pesë vjet që kur filluat të ndërmjetësoni në dialogun Kosovë-Serbi. Nëse do ta matnit punën tuaj në përqindje, sa përqind do të thoni se e keni kryer?

Lajçak: Është e vështirë të vendosësh një numër. Kur e mora pozitën time, qëllimi im i qartë ishte ta përfundoja punën për marrëveshjen përfundimtare gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

Më keni dëgjuar ta them shumë herë se për mendimin tim për këtë duhen muaj e jo vite – me kusht që të dyja palët të jenë të përkushtuara. Fatkeqësisht, ky përkushtim ka munguar.

Në të njëjtën kohë, besoj se kemi arritur shumë. Marrëveshja e vitit 2023 për Rrugën drejt Normalizimit – e njohur gjithashtu si Marrëveshja e Ohrit – është marrëveshje historike. Asnjëherë më parë nuk është vendosur kaq qartë korniza për normalizimin në dy hapa. Ajo duhet të zbatohet dhe këtu do të duhet të fokusohet pasardhësi im. Ne kemi arritur shumë edhe në çështje konkrete me ndikim të menjëhershëm te qytetarët në Kosovë, si njohja reciproke e targave apo letërnjoftimeve, kështu që udhëtimet janë bërë më të lehta. Kosova dhe Serbia e mbështetën Deklaratën Politike për Personat e Zhdukur, çka i jep një shtysë të rëndësishme zgjidhjes së kësaj çështje të dhimbshme humanitare. Besoj se me themelimin e Komisionit të Përbashkët dhe fillimin eventual të punës së tij, do të shohim progres në atë fushë. Dhe sigurisht, nuk duhet të harrojmë Udhërrëfyesin për Energjinë.

Qytetarët në veri të Kosovës veç kanë filluar ta paguajnë energjinë elektrike që konsumojnë. Por do të ishte naive të mos pranoheshin krizat e shumta, regresi dhe incidentet e rënda të sigurisë – qofshin targat, dorëheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës apo sulmet kundër KFOR-it dhe në Banjskë. Sidomos për këto dy të fundit, kryesit duhet të dalin para drejtësisë. BE-ja është shumë e qartë për këtë. Pra, është një panoramë e përzier dhe do të kisha shpresuar për më shumë. Por për këtë, Kosova dhe Serbia duhet të jenë të gatshme dhe të kenë vullnet për t’u ulur dhe për të negociuar.

Gazeta Express: Ju vazhdimisht keni marrë kritika se vini nga një shtet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, përfshirë edhe nga kryeministri Kurti, i cili deklaroi se Lajçak “kishte një pozicion të qartë si ndërmjetës kundër Kosovës”. Tani që po e përfundoni mandatin, cila është përgjigjja juaj ndaj gjithë këtyre kritikave?

Lajçak: Gjatë gjithë mandatit tim kam përfaqësuar gjithmonë pikëpamjet dhe qëndrimet e Bashkimit Europian. Roli im si lehtësues kërkonte gjithashtu që unë të veproja si kujdestar i Marrëveshjeve ekzistuese të Dialogut, të cilat kryesisht i kam trashëguar. Si pjesë e punës sime, më duhej të përcillja mesazhe, të cilat jo gjithmonë ishin ato që palët donin të dëgjonin. Kështu që ndonjëherë, mund të duket më e lehtë të bëhet cak individi ose personi që e sjell mesazhin, nëse nuk pëlqehet mesazhi.

Nuk e marr personalisht. Unë kam integritetin dhe reputacionin tim të ndërtuar përmes punës së palodhur gjatë shumë viteve. Liderët në BE, SHBA dhe më gjerë më njohin mirë gjatë gjithë karrierës sime. Prandaj, nëse unë sulmohem personalisht nga disa që sapo kanë hyrë në qeveri dhe po ndërtojnë pozitën e tyre ndërkombëtare – sulme të tilla mund të jenë më të dëmshme për ta në fund të ditës. Jam krenar që gjatë gjithë mandatit tim kam gëzuar besimin dhe mbështetjen e shteteve anëtare të BE-së, PL/ZP dhe partnerëve tanë amerikanë.

Nëse dëshironi të krijoni një ide se cili është pozicioni i BE-së, i miratuar nga të 27 shtetet anëtare të BE-së, Konkluzionet e fundit të Këshillit për Zgjerimin të dhjetorit 2024 janë një pikënisje e mirë. Ato janë mjaft të qarta në lidhje me pritjet nga Dialogu dhe unë si lehtësues i kam ndjekur këto udhëzime.

Gazeta Express: Gjatë karrierës suaj si diplomat keni mbajtur shumë poste që lidhën me Ballkanin Perëndimor. Duke qenë se është një nga rajonet më të paqëndrueshme të Europës me shumë probleme që rrjedhin nga konfliktet e viteve 90-ta, cilin post do ta veçonit si më të vështirën deri tani.?

Lajçak: Asnjëri prej tyre nuk ishte e lehtë. Misioni im i parë ndërkombëtar ishte dizajnimi dhe mbikëqyrja e referendumit të pavarësisë së Malit të Zi në një situatë kur Mali i Zi ishte thellësisht i ndarë, Serbia ishte kundër dhe BE-ja nuk kishte një qëndrim të qartë. Pra, detyra ime ishte që procesi të ishte i besueshëm dhe rezultatet të mos sfidoheshin. Unë jam krenar të them se ia dolëm dhe as procesi dhe as rezultatet nuk u vunë në dyshim. Mënyra se si u organizua dhe u zhvillua referendumi i ndihmoi Malit të Zi të integrohej shpejt në organizatat kyçe ndërkombëtare – Kombet e Bashkuara, OSBE, Këshilli i Evropës.

Misioni im i dytë ishte si Përfaqësuesi i Lartë/PPBE në Bosnjë dhe Hercegovinë. Këtu sfida ishte se në dukje kisha kompetenca të pakufizuara në mandat, por Komuniteti Ndërkombëtar ishte thellësisht i ndarë kur flitej për mënyrën si duheshin përdorur këto kompetenca, dhe akterët politikë lokalë ishin edhe më të ndarë. Pra dilema ime ishte gjithmonë deri ku mund të shkohet pa e tepruar? A të jem më shumë PPBE apo më shumë Përfaqësues i Lartë. Filozofia ime ka qenë gjithmonë përdorimi i Kompetencave të Bonit si mjeti i fundit dhe lënia e përgjegjësisë parësore vendit për zgjedhjen e politikanëve. Në pozitën time aktuale, detyra ime ishte të lehtësoja normalizimin mes palëve që kanë pikëpamje dhe qasje diametralisht të kundërta ndaj normalizimit, në një atmosferë mosbesimi të thellë. Gjithmonë kam thënë se normalizimi nuk mund të ndodhë në një atmosferë konfrontimi. Pra, ky ka qenë një mision shumë sfidues. Por jam krenar për atë që kemi arritur me Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit. Është me të vërtetë një marrëveshje historike që e vendos procesin e normalizimit në një trajektore largpamëse në dy hapa.

Gazeta Express: Kur Josep Borrell ju prezantoi si Përfaqësues të Posaçëm për dialogun Beograd-Prishtinë më 6 prill 2020, ai deklaroi se “ndoshta nuk mund ta zgjidhim konfliktin Izrael-Palestinë, por duhet të jemi në gjendje ta zgjidhim problemin që është në fqinjësinë tonë…” Puna do të vazhdojë me një të dërguar të ri. A ka shpresë për zgjidhje?

Lajçak: Sigurisht që ka. Kur e mora këtë detyrë, kam thënë se me vullnet politik, kurajë dhe gatishmëri për kompromis, për përfundimin e këtij procesi do të duhen muaj e jo vite. Unë ende besoj se kjo është e mundur me kusht që edhe Kosova edhe Serbia të jenë të gatshme të angazhohen. Fatkeqësisht, kemi parë shumë kriza – veçanërisht në veri të Kosovës – gjatë viteve të fundit.

Çka ndryshon tani nga koha kur fillova është se zgjerimi i BE-së është në radhë të parë në të menduarit në Bruksel. Për Kosovën dhe Serbinë, avancimi në integrimin në BE do të thotë përparim në Dialogun për normalizim. Pasardhësi im Peter Sorensen është diplomat me përvojë dhe besoj se do të bëjë përpjekje të palodhura për të ecur përpara, duke filluar me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023.

Gazeta Express: Pa dyshim, në historinë e dialogut gati 13-vjeçar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, marrëveshja e njohur si Marrëveshja e Ohrit, e cila u bë nën ndërmjetësimin tuaj, është një nga më të rëndësishmet. Si e vlerësoni ju këtë marrëveshje?

Lajçak: Marrëveshja e Ohrit është pa dyshim një marrëveshje historike. Për herë të parë, ajo ofron një kornizë shumë të qartë dhe rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe përcakton obligimet si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Kosova fiton shumëçka me të, qoftë për njohjen e të gjitha dokumenteve dhe simboleve kombëtare të Kosovës, ashtu edhe për integrimin në organizatat ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, nuk është fundi i rrugës, pasi që duhet të çojë në normalizim të plotë. Sigurisht, do të kisha dashur që zbatimi i saj të përparonte më shpejt. Në fund të fundit, kjo është në interes të qytetarëve që duan të shohin veprime konkrete dhe jo vetëm fjalë. Por, për fat të keq, besimi mes Kosovës dhe Serbisë është aq i ulët saqë askush nuk e besoi se nëse bëjnë atë që u kërkohet, do të marrin atë që u është premtuar. Kjo është arsyeja pse ne propozuam një qasje sekuenciale për zbatimin e saj. Prandaj, zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit do të jetë në krye të agjendës së pasardhësit tim. Pa zbatimin e saj, është e vështirë të shihet përparim në integrimin në BE për cilëndo prej palëve.

Gazeta Express: Asociacioni është pika më e kontestuar e kësaj marrëveshje. Në Kosovë, qytetarët i frikësohen krijimit të një ‘Republika Srpska’. Çka mund t’u thoni këtyre qytetarëve për t’ua lehtësuar shqetësimet?

Lajçak: Unë e kuptoj frikën e njerëzve, veçanërisht sepse ky argument është (keq)përdorur nga shumëkush. Pra, është legjitime të ketë pyetje. Në të njëjtën kohë, ideja e një Asociacioni për ne – Komunitetin Ndërkombëtar – bazohet në modelet më të mira europiane për të drejtat dhe mbrojtjen e pakicave, konventat ndërkombëtare përkatëse siç është Konventa Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare. Me Draft-Statutin Europian, të cilin e kemi paraqitur në tetor 2023, besoj se kemi bërë pikërisht këtë. Qasja jonë ishte të përdorim në shumë mënyra atë që veç ekziston në legjislacionin e Kosovës dhe ta bashkojmë në një trup. Ndër të tjera, kjo ka të bëjë me ofrimin e shërbimeve publike bazë, kujdesin shëndetësor, arsimin dhe bashkëpunimin ndërmjet komunave.

Në fund të fundit, si do të duket Asociacioni përfundimisht varet tërësisht nga statuti i tij. Për mua ishte gjithmonë e rëndësishme të propozoja diçka, e cila do të ishte e pranueshme në çdo vend tjetër europian. Drafti ynë i përmbahet këtij parimi. Sidoqoftë, për ta testuar do të duhej dërgimi i Draft-Statutit Europian në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim ligjor. Gjykata do ta shqyrtonte dhe nuk do të lejonte që të vendosej nëse do të rrezikonte rendin ligjor të Kosovës.

Kjo është një pikë e njohur, por më duhet ta përsëris. Me Marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, Kosova u zotua për themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe dhe Kosova ende e ka të detyrueshëm këtë obligim.

Gazeta Express: Në Kosovë po mbahen zgjedhje. Kandidatët e partive për kryeministër e kanë shmangur deri më tani temën e Asociacionit në fushatat e tyre elektorale. A do të jetë zbatimi i tij detyra e parë që do të duhet të trajtojë kryeministri i ri?

Lajçak: Nuk më takon mua të spekuloj se cila do të jetë detyra e parë për kryeministrin e ri. Megjithatë, ekziston një pritshmëri për angazhim konstruktiv në Dialog që në fillim dhe për të ecur përpara me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023. PL/ZP Kallas ka qenë shumë e qartë në këtë drejtim duke thënë se përparimi në rrugën drejt BE-së nënkupton zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Asociacioni nuk është vetëm pjesë e saj, por një obligim i vjetër që buron nga Marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015. Si i tillë, nuk hiqet. Prandaj, rekomandimi im do të ishte që Draft-Statuti Europian të dorëzohej për shqyrtim ligjor në Gjykatën Kushtetuese.

Gazeta Express: A mendoni se lidershipi i ri i BE-së do të ketë sukses t’i shtyjë palët ta zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit?

Lajçak: Shpresa ime e sinqertë është që të gjithë së bashku të kemi sukses. Është në interes të Kosovës dhe Serbisë që ta zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit për të mirën e qytetarëve të tyre. Lidershipi i ri i BE-së është shumë i përkushtuar për zgjerimin e Bashkimit Europian. Ne duam t’i mirëpresim anëtarët e rinj. Për Kosovën dhe Serbinë kjo nuk do të ndodhë pa përparim në normalizimin e marrëdhënieve të tyre. Mënyra më e mirë për ta arritur këtë është përmes zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Gazeta Express: Ju keni bashkëpunuar ngushtë me Administratën e Bidenit. Tani, me Trump në detyrë, ne kemi figura të tjera që do të përfshihen, si ambasadori Grenell. Cilat janë pritjet tuaja? A do të ketë bashkëpunim ndërmjet Brukselit dhe Uashingtonit për dialogun dhe a mendoni se Administrata Trump do të insistojë në Marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit?

Lajçak: Duhet të them se gjatë mandatit tim kam pasur bashkëpunim të shkëlqyer me administratën amerikane. Në të kaluarën, gjithçka që kemi arritur në Ballkanin Perëndimor ka qenë rezultat i bashkëpunimit të ngushtë. Ne ndajmë të njëjtin objektiv për një rajon që është i qëndrueshëm, ekonomikisht i lulëzuar dhe i integruar plotësisht në komunitetin tonë euroatlantik. Nuk dua të spekuloj për bashkëpunim në të ardhmen, por besoj se edhe pasardhësi im do të vendosë marrëdhënie të mira.

Gazeta Express: Ju keni ndërmjetësuar disa takime të nivelit të lartë me Albin Kurtin dhe Aleksandar Vuçiqin. Ndonëse këto bisedime janë konfidenciale, janë bërë publike disa fragmente të tensioneve që kanë pasur të dyja palët me raport armiqësor. Çka mund të ndani për këto? Sa sfidues ishte përafrimi i pozicioneve të tyre?

Lajçak: Është e natyrshme që bisedimet të jenë të vështira dhe emocionale. Në fund të fundit, ne po diskutonim për çështjet më të vështira mes Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri Kurti dhepresidenti Vuçiq kanë sfonde dhe pikëpamje shumë të ndryshme. Prandaj, nuk ishte për t’u habitur që u bë mjaft e qartë që herët se pikëpamjet e Presidentit Vuçiq dhe Kryeministrit Kurti se si të çohej përpara procesi i normalizimit ishin diametralisht të kundërta. Teksa pozicioni i kryeministrit Kurti ishte për një proces të përqendruar tek njohja reciproke, presidenti Vuçiq avokoi për ngritjen e besimit dhe zbatimin e asaj që është dakorduar si hap i parë. Pra, kishte shumë pak pika të përbashkëta. Në të njëjtën kohë, të dy arritën të dakordohen ndonjëherë – qoftë për Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit, Aneksin e Zbatimit të saj apo Deklaratën e Përbashkët për Personat e Zhdukur. Kjo tregon se është e mundur të gjendet gjuha e përbashkët.

Gazeta Express: Si diplomat me përvojë në Ballkanin Perëndimor, kur e parashikoni që Kosova dhe Serbia të jenë në gjendje t’i normalizojnë marrëdhëniet dhe të jenë gati për anëtarësim në BE si shtete fqinje?

Lajçak: Kam mësuar shumë kohë më parë se nuk është kurrë ide e mirë të caktohet një datë pasi që kjo do të thotë se duhet menjëherë të punoni kundër kohës. Por ajo që do të them është se dëshiroj t’i shoh që i normalizojnë marrëdhëniet e tyre sa më shpejt të jetë e mundur. Populli i Kosovës dhe i ai Serbisë nuk e meritojnë të jetojnë me tensionet e vazhdueshme. Ka një momentum për zgjerimin e BE-së tani, por nuk do të zgjasë përgjithmonë dhe nuk mund të parashikoj nëse do të ketë një tjetër. Prandaj, këshilla ime për liderët e Kosovës dhe Serbisë është: mos e humbisni këtë shans unik! Qytetarët tuaj ju zgjodhën për të punuar drejt së ardhmes suaj në BE, jo për ta ndryshuar të kaluarën tuaj.

Gazeta Express: Dhe e fundit, çfarë mesazhi do t’i jepnit pasuesit tuaj?

Lajçak: I uroj durim dhe këmbëngulje. Çka është bërë në të kaluarën, është arritur sepse nuk u dorëzuam. I uroj shumë që të ketë sukses në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Exit mobile version