Diplomati sllovak, Miroslav Lajçak, të cilit liderët në Prishtinë për ta dëshmuar afërsinë me të i referohen edhe si “Miro”, duket se është i bindur se do ta përfundojë me sukses misionin më të rëndësishëm diplomatik në karrierën e tij; Marrëveshjen Bazike mes Kosovës dhe Serbisë.
Dhe, për këtë, ai ka mbështetje të gjerë në BE dhe SHBA, pavarësisht se në Prishtinë sulmet ndaj tij kanë qenë të shumta muajt e fundit.
Marrëveshja që po shtyn “Miro”, në esencë, është kjo: serbët marrin një autonomi lokale në Kosovë, kurse Shteti i Kosovës një lloj njohje de-fakto të realitetit të krijuar me 17 Shkurt 2008.
Në një intervistë për “Express”, ai ka thënë se Statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është dokument i brendshëm i Kosovës për çka nuk kërkohet nënshkrimi nga Serbia.
“Më lejoni të shtoj edhe një pikë në lidhje me kërkesën e Kosovës që Serbia ta nënshkruajë Statutin. Sipas pikëpamjes sonë, kjo nuk është e nevojshme. Akti ligjor, ashtu sikur është i dizajnuar tani, është paraparë të jetë dokument i brendshëm i Kosovës. Me nënshkrimin e Kosovës dhe Serbisë, Statuti do të bëhej marrëveshje ndërkombëtare, çka nuk është”, deklaroi Lajçaku, mes tjerash, në këtë intervistë.
Tutje, ai ka shfaqur brengat e tij për ngurtësinë e palëve në zbatim të marrëveshjes, por për herë të parë ka përmendur afate dhe obligime që kanë palët në proces.
Në shkëmbim të kësaj, ai është treguar i hapur për të bërë rregullime në draft të Statutit, e madje edhe fleksibil kur është pyetur nëse teksti duhet të dërgohet fillimisht në Gjykatën Kushtetuese.