Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se sulmi i Banjskës ka pasur një ndikim përcaktues në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Ai së fundi ka përsëritur thirrjet për përgjegjësi, duke theksuar se pjesëtarët e grupit dihen, dhe se disa prej tyre e kanë pranuar këtë.
Duke folur në Mal të Zi gjatë forumit “2BS”, Lajçak u shpreh se është për keqardhje që ende nuk ka llogaridhënie sa i përket sulmit që la të vrarë zyrtarin policor Afrim Bunjaku.
“Banjska ka pasur një ndikim shumë përcaktues në atmosferën e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. BE ka qenë shumë e qartë se ata që janë përgjegjës, duhet të japin përgjegjësi. Ne e dimë kush janë këta njerëz, disa prej tyre kanë marrë përgjegjësi, është për të ardhur keq që nuk kemi parë asnjë llogaridhënie.” – ka thënë ai, transmeton Nacionale.
Diplomati sllovak ka shtuar se “gjëra si sulmi i Banjskës”, nuk duhet të kalojnë pa pasoja e pa ndëshkim:
“BE do të vazhdojë të kërkojë përgjegjësi, gjëra si Banjska nuk duhet të shkojnë pa pasoja, pa ndëshkim për ata që janë përgjegjës. Ka qenë një sulm i rëndë në atmosferën e rajonit dhe në marrëdhënie të mira”.
“S’pamë normalizim, pamë Qeverinë e Kosovës…”
Marrëdhëniet Kosovë-Serbi, sipas emisarit evropian, janë sfida më e madhe strategjike në rajon. Gjatë kësaj paraqitje, ai ka thënë se 18 muaj pas arritjes së Marrëveshjes në rrugën drejt normalizim, nuk është parë implementim.
“Vazhdoj të besoj që marrëdhënia mes Kosovës dhe Serbisë përbën sfidën më të madhe strategjike në rajon. Kanë ndikim në gjithçka, duke nisur me bashkëpunimin rajonal dhe duke përfunduar me integrimin evropian. Vitin e kaluar arritëm diçka shumë të rëndësishme, Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit, që jep një trajktore shumë të qartë përpara normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Fatkeqësisht, sot 18 muaj më vonë kemi parë shumë pak implementim të marrëveshjes, që është zhgënjyese.” – tha Lajçak.
Në vend të kësaj, i dërguari i BE-së ka thënë se janë parë përpjekjet e Qeverisë për sundim të ligjit në veri, për të cilat, u shpreh se janë bërë në një mënyrë që ka nxitur kundërshtime nga komuniteti ndërkombëtar.
“Çfarë kemi parë në vend të kësaj janë përpjekjet e Qeverisë për të arritur sundimin e ligjin në veri të Kosovës. Të gjithë përkrahin sundimin e ligjit. Por për fat të keq, kjo është bërë në një mënyrë që ka nxitur kundërshtime nga komuniteti ndërkombëtar dhe frustrim te komuniteti lokal. Prandaj, kemi më pak normalizim, dhe më shumë tensione.” – tha ai