Para 18 marsit, kur Kurti dhe Vuçiq takohen në Ohër, emisari Miroslav Lajcak, do t’i bëjë “kontrollat” e fundit në Prishtinë dhe Beograd rreth planit të zbatimit të propozimit evropian. Besnik Bislimi thotë se Lajçak vjen këtë javë, ndërkaq dita e saktë nuk dihet.
Negociatat mes Kosovës dhe Serbisë, siç u bë e ditur pas takimit të 21 shkurtit në Bruksel, do të vazhdojnë përmes së ashtuquajturës “diplomaci fluturuese”.
Pritet një vizitë e Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, në Prishtinë dhe, siç ndodh zakonisht, edhe në Beograd.
Nga Zyra për Media e BE-së kanë thënë për Gazetën Express se për vizitën e Lajçakut në Prishtinë do të flasin “kur të është e përshtatshme”.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka thënë se emisari special i BE-së vjen në Prishtinë kah fundi i kësaj jave dhe të shikojë punën që ka bërë pala kosovare për udhërrëfyesin e zbatimit të propozimit evropian, që është pranuar nga Kosova dhe Serbia.
“Në fund të javës së ardhshme pritet që z. Lajçak ta vizitojë Kosovën, pastaj edhe Serbinë; të shikojë punën që është bërë. Në bazë të propozimeve tona, unë besoj që ai do të përpiqet t’i konsolidojë ato”, ka thënë Bislimi më 1 mars në RTK.
Kjo vizitë e Lajçakut pritet të ndodhë, para takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, që është caktuar të mbahet me 18 mars, në Ohër të Maqedonisë Veriore.
Kryeministri Kurti, pasi zyrtarisht ka pranuar propozimin evropian më 21 shkurt, ka thënë se negociatat për normalizim do të vazhdojnë përmes diplomacisë fluturuese.
Edhe para dakordimit për propozimin evropian, Lajçak dhe emisarë të tjerë perëndimorë kishin shpeshtuar muajve të fundit vizitat në Prishtinë dhe në Beograd, për t’i bindur palët ta pranonin atë propozim.
Në propozim, zotimi për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara më parë mes Kosovës dhe Serbisë, që i bie edhe marrëveshja për formimin e Asociacionit, është në pikën e fundit. Diplomatët e huaj, pas pranimit të propozimit evropian nga palët, kanë ripërsëritur thirrjet që Qeveria të nis themelimin e Asociacionit.
Para vizitës së tij në dy kryeqytetet dhe para takimit të Ohrit, Lajçak ka thënë se në tavolinën e tij ka 16 modele ekzistuese funksionale për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që i ka ndarë me Kosovën dhe Serbinë.
Sipas tij, ato mund të shihen si modele për të drejtat e minoriteteve dhe të gjitha janë në përputhje me standardet evropiane.
“Po flasim me partnerët tanë për modele ekzistuese që po forcojnë funksionalitetin e shteteve dhe jo dobësimin, prandaj mendojmë se nuk duhet të ketë frikë. Askush nuk ka interes ta dobësojë funksionalitetin e Kosovës. Duhet ta shohim jo si kërcënim a dënim a kompromis, por obligim në njërën anë, dhe duhet të shihet edhe si ndërtim i mirëbesimit të serbëve të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës dhe definim të qartë të raporteve të Qeverisë së Serbisë me serbët e Kosovës, sipas standardeve evropiane”, ka thënë ai.