Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka folur për takimin e 2 majit që do të jetë i nivelit të lartë.
Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se do të bëhet prezantimi i draft statutit të parë i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe do bëhet miratimi zyrtar i Deklaratës për personat e Zhdukur.
“Me takimin e radhës të dialogut të nivelit të lartë që do të mbahet më 2 maj, kjo është një kohë e përgatitjeve intensive. Si takimi i parë i nivelit të lartë pas Ohrit, do të jetë një takim i rëndësishëm për zbatimin e marrëveshjes dhe aneksit të saj”.
“Agjenda do të përfshijë miratimin zyrtar të deklaratës për Personat e Zhdukur, prezantimin e draft statutit të parë të Asociacionit së komunave me shumicë serbe në Kosovë nga ekipi menaxhues dhe çështjet aktuale. Prandaj ne presim që të dyja palët të vijnë në Bruksel të përgatitura mirë dhe plotësisht të përkushtuara në fazën e zbatimit”, ka thënë Lajçak.