Emisari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, si dhe emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është takuar me anëtarë të Listës Serbe, në krye me Goran Rakiq.
Takimin e ka njoftuar Lajçak me anë të një postimi në ‘Twitter’, duke thënë se temë kyçe e takimit ishte situata tensionuese në veri të Kosovës.
“Para se të largohesha nga Kosova sot, u takova me përfaqësues të komunitetit serb të Kosovës për të dëgjuar prej tyre për zhvillimet dhe tensionet e fundit në veri të Kosovës”, thuhet në postimin e emisarit të BE-së.
Prezent në takim, siç shihet nga fotografia e shpërndarë nga Lajçak, ishte edhe Escobar dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.