Në Bruksel janë zhvilluar sonte disa takime mes ndërmjetësuesve të SHBA-së dhe BE-së më kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Pas takimeve, Përfaqësuesi Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka publikuar fotografi me dy liderët, që do të takohen nesër kokë më kokë.
Ai ka thënë se po bëhen përgatitjet e fundit për nesër, për takimin mes Kurtit dhe Vuçiqit.
“Në prag të dialogut të nivelit të lartë në Bruksel, pata takime me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, për t’u përgatitur për diskutimet e nesërme”, ka shkruar Lajçak.
Takime me Kurtin e Vuçiq ka zhvilluar edhe i Dërguari i Amerikës për Ballkanin, Gabriel Escobar, i cili po qëndron në Bruksel. Escobar ka thënë se Asociacioni i Komunave serbe, një çështje që pritet të diskutohet me prioritet nesër, duhet të krijohet duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.