16.4 C
New York
Saturday, September 20, 2025

Buy now

La shenjë në fundin e ndeshjes me Dortmundin, Zhegrova fiton zemrat e tifozëve të Juventusit për vetëm 10 minuta

- Advertisement -

Edon Zhegrova pati një debutim të befasishëm dhe emocionues në barazimin spektakolar mes Juventusit dhe Borusia Dortmund.

Futbollisti dardan, që deri pak orë para ndeshjes dukej se nuk do të përfshihej fare në listën e skuadrës, u hodh në fushë në minutën e 87-të. Në vetëm dhjetë minuta ai arriti të lërë gjurmë, duke ndezur entuziazmin e tifozëve bardhezinj. Me driblimet e tij dhe lëvizjet e shpejta, Zhegrova krijoi aksionin që çoi te barazimi 4-4 në minutat shtesë. Pas një manovre personale, ai shërbeu topin për Vlahoviç, i cili më pas asistoi për golin e Kelli.

Një aksion që bëri stadiumin të shpërthente dhe që konfirmoi talentin e lojtarit nga Kosova. Ky ishte një çlirim personal për 25- vjeçarin, i cili sezonin e kaluar vuajti gjatë nga pubalgjia dhe kishte kohë pa qenë në formë. Pikërisht për këtë arsye pritej të mos ishte i gatshëm për Champions League, por gjendja e tij fizike është përmirësuar më shpejt se sa pritej. Trajneri Igor Tudor e mori me vete jo për numër, por sepse besonte se në një moment të ndeshjes mund të bënte diferencën. Dhe ashtu ndodhi. Tani pritet që Zhegrova të ketë më shumë hapësirë edhe në kampionat, ndoshta që në sfidën e radhës kundër Veronës. Megjithatë, është e vështirë ta imagjinosh titullar menjëherë, pasi Tudor nuk do të rrezikojë me një lojtar që ende po rikthen ritmin e duhur. Por një aktivizim më i gjatë në pjesën e dytë duket shumë i mundshëm.

Për lojtarin kosovar vetëm fakti që është rikthyer të shohë rregullisht fushën pas muajsh të vështirë është një fitore më vete. Ai dëshiron të konfirmojë se mund të jetë një armë e vlefshme për Juventusin në sezonin aktual, duke sjellë fantazi dhe cilësi në krahët e sulmit. Performanca kundër Dortmundit ishte vetëm një shije e asaj që mund të japë. Tifozët bardhezinj e kanë përqafuar menjëherë, duke parë te Zhegrova një futbollist që mund të japë emocione dhe të bëhet vendimtar në ndeshjet e mëdha. Tashmë mbetet që ai të vazhdojë me këtë shpirt, duke u kthyer hap pas hapi në një protagonist të vërtetë të Juventusit

Të ngjashme

Të fundit