Presidenti i La Ligës, Javier Tebas, ka ngritur pikëpyetje mbi praktikat e regjistrimit të Real Madridit, duke u ndalur veçanërisht te mënyra se si është trajtuar rasti i talentit të ri Franco Mastantuono.
Në një intervistë për RNE në ditën e parë të sezonit, Tebas theksoi se disa klube po shfrytëzojnë në mënyrë të diskutueshme regjistrimet e ekipit rezervë.
Si shembull, ai përmendi vendimin e Real Madridit për ta regjistruar Mastantuonon me një kartë të ekipit rezervë, pavarësisht se lojtari nuk pritet të luajë asnjë minutë për ekipin e dytë.
“Ekipet e Divizionit të Parë kanë 25 lojtarë dhe Real Madridi i ka dhënë 30, duke i dhënë një kartë të ekipit rezervë një lojtari që nuk do të luajë atje” – deklaroi Tebas.
Ai e krahasoi këtë rast me regjistrimin e Vinicius Jr., duke kujtuar se braziliani dikur ishte regjistruar me ekipin rezervë dhe luante rregullisht për ta.
“Nëse flasim për integritetin e garës, duhet të diskutojmë edhe për këto raste. Mendoj se ata mund ta bëjnë”, shtoi ai.
Deklaratat e Tebas vijnë në një kohë kur La Liga po diskuton gjerësisht për rregulloret e regjistrimit të lojtarëve dhe kriteret e qëndrueshmërisë financiare, të cilat sipas tij janë miratuar nga të gjitha klubet për të ruajtur stabilitetin ekonomik të kampionatit.
“Mund të ketë surpriza në regjistrime, sepse gjithmonë ka klube që u duhet më shumë kohë për t’i finalizuar” – tha ai, pa përmendur emra konkretë.