Ish-ministrja e Arsimit në Republikën e Shqipërisë, Besa Shahini, është rikthyer në skenën publike pas një mungese katërvjeçare, përmes një interviste në emisionin Debat Plus. Ajo tha se, ndonëse është vendosur në Prishtinë prej vitesh, nuk ka qenë aktive publikisht që nga përfundimi i angazhimit të saj qeveritar.
“Janë bërë katër vite që jam kthyer në Prishtinë, dhe s’ka faj Imer Mushkolaj që më përmendi, sepse janë bërë katër vite që nuk kam bërë paraqitje publike. Kështu që duhet me ua kujtu pak njerëzve çka kam bërë më herët,” tha Shahini.
Ajo tregoi se këto vite i ka kaluar si një qytetare e zakonshme, duke përjetuar sfidat dhe vështirësitë e jetës në kryeqytet.
“Gjatë kësaj kohe jam përballur, ashtu si të gjithë qytetarët e tjerë, me këtë Prishtinë në të cilën jetojmë. Do të thotë, një qytet ku kemi vendosur me jetu, me i rrit fëmijët, ku jemi të gjithë duke e bërë jetën e përditshme. Por ky qytet, dorën në zemër, nuk po i përmbush as nevojat e as dëshirat e qytetarëve. Dhe ne, si qytetarë që përditshmërinë tonë e kemi këtu, unë mendoj se duhet përfundimisht me bërë diçka, me kontribu, me ia kthyer kahjen qytetit në drejtimin e duhur,” theksoi ajo.
Shahini vuri theksin në nevojën për një ndryshim të mënyrës se si diskutohet për qytetet në fushatat zgjedhore.
“Si pikë e parë, duhet me përmbys debatin që e bëjmë për qytetet në përgjithësi, sidomos kur jemi në prag të zgjedhjeve lokale. Kemi pasur një bisedë me Visarin para disa kohësh. Kur flasim për qytetin dhe për problemet, dimë me fol për rrugë, për asfalt, për tulla, për autobusë – por harrojmë me fol për njerëzit e qytetit,” deklaroi Shahini.