Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka konfirmuar për media se operacioni lidhet drejtpërdrejt me hetimet për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika, i cili u ekzekutua pak javë më parë në qendër të Kaçanikut.
Ndërkohë, burime të sigurta të IndeksOnline bëjnë të ditur se në mesin e shtatë personave të arrestuar është edhe një ish-polic dhe një ish-ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët dyshohet se i janë bashkuar një grupi të organizuar ekstremist.
Për më tepër, një nga personat kyç të arrestuar është Rejhan Bela, një 18-vjeçar që sipas hetimeve dyshohet si ekzekutori kryesor i rreshterit Lika. Në momentin e kryerjes së krimit, Rejhan Bela ishte vetëm 17 vjeç, por dyshimet janë se vrasja mund të jetë kryer me paramendim dhe si pjesë e planifikimeve të këtij grupi të rrezikshëm.
Ndaj këtij rasti të rëndë ka reaguar edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka theksuar se “Muhamed Lika, familja e tij, Policia e Kosovës, populli dhe shteti kërkojnë dhe meritojnë drejtësi. Zero tolerancë!”.