Sot do të zgjidhet kryetari i Federatës së Futbollit e Kosovës. Kjo pritet të ndodhë në Kuvendin Zgjedhor, i cili do të zhvillohet nga ora 11:00 në Prishtinë.
Në këtë mbledhje, delegatët e futbollit do të zgjedhin presidentin e FFK-së për mandatin e ri katërvjeçar 2026–2030.
Kandidat i vetëm në këtë proces është presidenti aktual, Agim Ademi, i cili synon mandatin e tij të tretë në krye të institucionit më të lartë të futbollit në vend. Ademi e mori drejtimin e FFK-së pas ndarjes nga jeta të legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri.
Po ashtu, në rend dite është edhe zgjedhja e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së.
Pjesëmarrjen në Kuvend e kanë paralajmëruar personalitete dhe përfaqësues të rëndësishëm të futbollit ndërkombëtar dhe institucioneve vendore, përfshirë Armand Dukën, zëvendëspresident i UEFA-s, përfaqësues të UEFA-s dhe FIFA-s, si dhe përfaqësues nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komiteti Olimpik i Kosovës.
Caktimi i këtij kuvendi për 5 shkurt ka ngjallur reagime, përfshirë MKRS, e cila ka kërkuar që para mbajtjes së kësaj mbledhje të bëhet harmonozimi i statutit të FFK-së me legjislacionin e vendit dhe me UEFA e FIFA. Por, një shkresë e këtyre dy institucioneve ka konfirmuar se Kuvendi i 5 shkurtit është legjitim dhe ka kërkuar që të mos ketë ndërhyrje të palëve të treta në proces.
Gjatë kësaj mbledhjeje do të aprovohet edhe buxheti i Federatës së Futbollit të Kosovës për vitin 2025, i cili është planifikuar të jetë rreth 25 milionë euro.






