15.5 C
New York
Thursday, October 2, 2025

Buy now

“Kuvendi s’është konstituuar”, Kurti e ul pak tonin, deputeti i VV’së më i ashpër – Konjufca ia kishte vënë kapakun me akuzat për tradhti

- Advertisement -

Në LVV i donin vetëm dy opsione në aktgjykimin për çështjen e Kuvendit, që partia e Albin Kurtit e konsideroi të konstituuar. Gjithçka tjetër, do të ishte “tradhti shtetërore” për ta, siç pati thënë në një mbledhje të partisë nënkryetari Glauk Konjufca. I tillë duket se konsiderohet vendimi që erdhi të martën nga Gjykata Kushtetuese, e cila u sulmua brutalisht nga zyrtarët më të lartë të kësaj partie. Kurti tha të enjten se po e pret aktgjykimin ndërsa të martën kur u publikua njoftimi, Arbër Rexhaj deputet i VV’së, dispozitivin e Kushtetueses e quajti skandaloz duke thënë se po shkojmë drejt një vetoje të Listës Srpska.

Sipas nënkryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, Gjykata Kushtetuese të martën kreu “tradhti shtetërore” meqenëse konstatoi se Kuvendi nuk është konstituuar dhe se për t’u bërë kjo duhet zgjedhja edhe e nënkryetarit nga komuniteti serb.

Instanca më e lartë gjyqësore në vend, përfundimtare për interpretimin e Kushtetutës, tha se Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar edhe pa zgjedhjen e një nënkryetari nga komuniteti serb, siç e shpalli LVV-ja përmes kryetarit të Kuvendit, Dimal Bashës.

Kushtetuesja të martën e publikoi dispozitivin e aktgjykimit të saj për këtë çështje, i cili pritet të hyjë në fuqi pas publikimit në Gazetën Zyrtare. Pasi të bëhet kjo, Gjykata urdhëroi që seanca konstituive të përfundojë brenda 12 ditësh.

Në një mbledhje të partisë që po qëndron në pushtet përtej mandatit qeveritar në mungesë të një ekzekutivi të ri, kryetari i LVV-së, Albin Kurti lëshoi akuza të rënda ndaj gjyqtarëve të Kushtetueses, pasi paraprakisht, nënkryetari Glauk Konjufca tha se ata do të mund ta marrin këtë vendim që u mor, që ai e quante “tradhti shtetërore”.

Ai tha se Kushtetuesja “nuk ka çfarë të interpretojë përtej Kushtetutës”, ndërsa përmendi fillimisht dy opsione të dëshiruara.

“Tash gjykata është para një vendimi të madh. Kushtetuta nuk i jep kurrfarë supremacie në relacion me Kryesinë e Kuvendit partisë fituese të serbëve. Prandaj gjykata nuk ka çfarë të interpretojë përtej Kushtetutës. Ky është akti më i lartë Republikës. Ose do të çelet rruga që Kuvendi të vazhdojë, ose do të shkojmë në zgjedhje të reja”, pati thënë ai.

“Por skenari i tretë të cilin as që mund ta imagjinoj, është ai më i keqi i mundshëm”, shtonte Konjufca. “Një skenar në nivel të tradhtisë shtetërore, do të thoja unë. Një skenar i cili ia jep Listës Serbe dhe Beogradit të drejtën e vetos mbi Republikën e Kosovës. Republika e Kosovës nuk mund të jep peng i Listës Serbe”.

Deputetët u urdhëruan me aktgjykimin e fundit të Kushtetueses që funksionin e tyre ta ushtrojnë në “interesin më të mirë të Republikës së Kosovës” dhe “në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit”, e ta zgjedhin nënkryetarin serb.

Lëvizja Vetëvendosje e kishte shpallur të konstituuar Kuvendin edhe pa zgjedhjen e një nënkryetari, duke e përfunduar seancën konstituive.

Edhe presidentja Vjosa Osmani kishte përdorur fjalë që kishin dalë nga ajo mbledhje e LVV-së, ndërsa argumentonte në një konferencë për media se pse Kuvendi, sipas saj, duhej të konsiderohej i konstituuar edhe pa zgjedhjen e një nënkryetari nga komuniteti serb.

“Përderisa kemi kryetar, ka kuorum dhe kryesi, Kuvendi nuk duhet të bllokohet”, kishte thënë ajo.

Presidentja, madje, e arsyetonte gjuhën e përdorur në mbledhjen e partisë së kryeministrit në detyrë, duke thënë se Gjykata Kushtetuese nuk është e shenjtë.

“Kushtetuta nuk e ndalon që ne t’i komentojmë vendimet e gjykatave. As nuk ndalohet kritika, po flas për kritikën profesionale. Janë në suaza të normales, të demokracisë”, shprehej ajo.

Osmani kishte zgjedhur të priste deri në publikimin e këtij aktgjykimi nga Kushtetuesja, duke kërkuar që ajo ta konsiderojë Kuvendin të konstituuar, po siç kishte bërë LVV-ja në seancë. Më pas, siç thoshte, do ta thirrte partinë e parë dhe “menjëherë do të procedojë edhe me caktimin e mandatarit” për formimin e qeverisë së re.

Pasi Kushtetuesja publikoi dispozitivin e vendimit të saj këtë të martë, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj e komentoi atë.

Rexhaj e quajti si “vendim skandaloz pasi që sipas tij po shkojmë drejt një vetoje në Kuvendin e Kosovës, ku Lista Serbe do të jetë vendimtare edhe në të ardhmen për të vendosur se a do të konstituohet Kuvendi apo jo”.

Ai tha se shpreson që kur të botohet i plotë aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese, t’a ndajë votimin e zonjës Rexhepi nga votimi i cili na pret për kandidatin i cili do të propozohet aty.

Por fjalët tradhti të Konjufcës nuk u përdorën. Këtë s’e bëri as Kryeministri Albin Kurti i cili të enjten foli dy herë. Një herë tha se po e pret aktgjykimin e plotë, tjetrën herë hyri më thellë.

“Konsideroj që është humbje kohe dhe dëm që nuk po funksionon Kuvendi i Kosovës. Kuvendi e ka zgjedhur kryetarin, Dimal Bashën, i ka zgjedhur katër nënkryetarët, Albulena Haxhiun, Vlora Çitakun, Kujtim Shalën dhe Emilja Rexhepin, askush nuk është duke e zënë karrigen e zbrazët për nënkryetarin nga komuniteti serb. Është dashur që të vazhdojë puna e Kuvendit sepse shteti i Kosovës nuk ka kohë për të humbur” tha ndër të tjera ai.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ishte shprehur i shqetësuar për sulmet që iu bënë Gjykatës Kushtetuese nga partia që doli e para në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, por që nuk mori rezultatin e dëshiruar.

“Jemi shqetësuar, sikurse të tjerët, për disa fjalë që janë thënë rreth Gjykatës Kushtetuese dhe për pasojat që mund t’i kishin, nëse Gjykata do të mund ta bënte punën e saj siç duhet dhe nëse vendimet e saj do të respektoheshin plotësisht. Ndaj, shpresoj shumë dhe pres që të gjitha partitë politike dhe gjithë shoqëria ta lejojnë Gjykatën të punojë dhe, më e rëndësishmja, t’i zbatojnë vendimet që ajo merr”, ka thënë ai në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 27 shtator.

Pak ditë pas sulmeve të LVV-së ndaj Kushtetueses, më 12 shtator, Shtetet e Bashkuara njoftuan se e kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e qeverisë në detyrë.

“Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite”, tha ndër tjerash ambasada amerikane në një njoftim.

Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha së fundmi se ky vendim ishte pasojë e një grumbullimi frustrimesh të SHBA-së me qeverisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke theksuar veçanërisht kritikat ndaj Gjykatës Kushtetuese.

Ai tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 17 shtator se si Administrata Biden, ashtu edhe Administrata Trump, kanë “shqetësime për cilësinë e partneritetit me kryeministrin në detyrë, Kurti” dhe kanë prioritete që bien në kundërshtim me ato të qeverisë në detyrë të Kosovës./Express/

Të ngjashme

Të fundit