Avokati Skënder Musa ka deklaruar se Kuvendi i Kosovës, pas dekretit të presidentes për shpërndarje, nuk është më funksional dhe se aktualisht nuk ekziston si institucion.
Sipas tij, pavarësisht se pritet edhe një vendim nga Gjykata Kushtetuese, kjo nuk e ka penguar presidenten që të marrë vendimin për shpërndarjen e Kuvendit.
“Kuvendi prej sot nuk ekziston. Duhet pritur edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, mirëpo kërkesa që është paraqitur për një masë sigurie në orët e vona të natës, siç tha kryetarja e Kuvendit, nuk e pengon presidenten që ta shpërbëjë Kuvendin”, ka deklaruar Musa në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.
Ai theksoi se nuk ka pasur asnjë pengesë ligjore për një vendim të tillë, duke shtuar se presidentja, përveç dispozitave kushtetuese, është mbështetur edhe në dispozitat ligjore që rregullojnë çështjen e shpërndarjes së Kuvendit.
“Kuvendi është i shpërndarë dhe nuk ka pasur asnjë pengesë ligjore që të merrej një vendim i tillë”, u shpreh ai.
Musa gjithashtu komentoi edhe zhvillimet politike, duke thënë se vonesat në proces janë të pakuptimta nga aspekti juridik, por sipas tij kanë një prapavijë politike.
Sipas tij, kryeministri Albin Kurti po tenton të fitojë kohë dhe të shtyjë procesin zgjedhor deri në 60 ditë.
“Pavarësisht vonesave që janë të pakuptimta në aspektin juridik, në politikë janë të ditura, sepse Albin Kurti kërkon sa më shumë kohë dhe shtyrje të procesit zgjedhor deri në 60 ditë”, ka deklaruar Musa.
Ai shtoi se sipas vlerësimit të tij, synimi është që zgjedhjet të mbahen gjatë periudhës së pushimeve verore.
“Sipas Kurtit, tendenca është që të arrihet periudha e pushimeve dhe zgjedhjet të mbahen në atë kohë, në mënyrë që të rritet numri i votuesve”, tha Musa.






