Para fillimit të seancës së 41-të për përpjekjen për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, organizatat e shoqërisë civile kanë zhvilluar sërish një performancë simbolike ndaj vazhdimit të bllokadës politike dhe mungesës së funksionalizimit të institucioneve.
Ashtu si në dy protestat e mëparshme, aktivistët janë mbledhur para hyrjes kryesore të Kuvendit, duke mbajtur pankarta me mesazhe drejtuar partive politike si: “Boll!”, “Karriget janë për punë, jo për pushtet”, “Nuk kemi kohë me humb”, “Kur t’ju bëhet boll, kallxoni” dhe “Institucionet nuk janë për pazare”.
Këto mesazhe vijnë si reagim ndaj faktit që, që nga përfundimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Kuvendi i Kosovës ende nuk ka arritur të konstituohet. Sot po zhvillohet përpjekja e 41-të për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe hapjen e rrugës për formimin e institucioneve të reja.
Gjykata Kushtetuese, përmes një aktvendimi të publikuar, ka përcaktuar se legjislatura e re ka një afat prej një muaji për të përmbyllur procesin e konstituimit, përkatësisht zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

