8.5 C
New York
Thursday, November 28, 2024

Buy now

Kuvendi i Shqipërisë sërish refuzon dërgimin në Kushtetuese të çështjes së mandatit të Xhaçkës

- Advertisement -

Kuvendi i Shqipërisë votoi kundër kërkesës së dytë të opozitës për të dërguar në Gjykatë Kushtetuese çështjen mbi pretendimet për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes socialiste, Olta Xhaçka.

Kjo çështje u rikthye për diskutim në Kuvend, rreth një vit e tre muaj pasi Gjykata Kushtetuese vendosi se ky institucion duhet t’i drejtohej me një kërkesë për rastin në fjalë, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ka qenë opozita që më atë kohë kërkoi që deputetes së Partisë Socialiste (PS), njëherësh ish-ministres së Jashtme t’i hiqej mandati, me pretendimin se ishte në konflikt interesi, pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi, kishte përfituar statusin e investitorit strategjik, për ndërtimin e një hoteli në bregdetin e Dhërmiut.

Atëbotë, opozita i kërkoi Kuvendit që çështjen t’ia dërgojë Gjykatës Kushtetuese për interpretim, por shumica parlamentare e kishte hedhur poshtë. Në këto kushte, dy grupe deputetësh të Partisë Demokratike iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese.

Ky institucion vlerësoi se Kuvendi kishte vepruar në shkelje duke rrëzuar kërkesën për t’ia çuar gjykatës rastin e deputetes Xhaçka, si i vetmi organ kompetent për këtë çështje.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, pati deklaruar për mediat se është “situatë e pazakontë dhe e pamundur të ndodhë në një shtet demokratik”.

Kjo çështje u rikthye në vëmendje, pas arrestimit të kreut në detyrë të bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, i cili dyshohet se ka firmosur dokumente të falsifikuara duke bërë që bashkëshorti i deputetes Xhaçka të përfitojë një sipërfaqe toke në bregdetin e Dhërmiut, ku do të kryente investimin.

Gjykata e Posaçme sekuestroi mbi 10 mijë metra katrorë sipërfaqe mbi të cilën parashikohet të ndërtohet një hotel, në një tokë që rezulton të ketë qenë pronë shtetërore.

Për këtë hetim është paraqitur disa herë në Prokurorinë e Posaçme edhe Artan Gaçi, bashkëshorti i Xhaçkës.

Opozita iu drejtua me një letër kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla duke i kërkuar ta përfshijë në rendin e ditës së Kuvendit, vendimin e dhënë më herët nga Gjykata Kushtetuese.

Në seancën e ditës së enjte, çështja u debatua gjatë në Kuvend. Vetë deputetja Olta Xhaçka tha se ajo nuk ka “përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike” dhe akuzoi opozitën se e ka përdorur çështjen politikisht, me të pavërteta dhe shpifje. Ajo shpjegoi gjithashtu se bashkëshorti i saj nuk kishte statusin e investitorit strategjik, por siç tha ajo, “të investitorit të asistuar”.

Kryetari i grupit parlamentar të demokratëve, Gazmend Bardhi, tha se nëse Xhaçka është e bindur se nuk është në konflikt interesi, nuk ka pse i druhet Gjykatës Kushtetuese. Pas votimit në Kuvend, ku 72 deputetë socialistë votuan kundër dërgimit të çështjes në Gjykatë Kushtetuese, Bardhi tha se “sot ishte një ditë e zezë për Shqipërinë dhe për Parlamentin”.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit