23.6 C
New York
Saturday, October 5, 2024

Buy now

Kushti i Kurtit për ekstradimin e Radojiçiç-it i parealizueshëm – alternativa e vetme gjykimi në mungesë

- Advertisement -

Kjo pasi që sipas tyre, që një gjë e tillë të ndodhë, së pari të dyja shtetet duhet të kenë një ujdi ndërshtetërore për ekstradim.

Me konstatimin se një ekstradim i tillë i Radojiçiç-it dhe grupit të tij në Kosovë është e pamundur në këto kushte, juristi, Ardian Bajraktari, potencon se në këtë fazë alternativa thuajse e vetme mbetet gjykimi në mungesë i tyre.

Fillimisht, në vlerësimin e tij, duhet pasur parasysh se fusha e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar është para së gjithash çështje e vullnetit politik të shteteve respektive.

“Si rregull kjo realizohet në dy mënyra, përmes marrëveshjeve të nënshkruara dhe të ratifikuara në kuvendet respektive, si dhe përmes parimit të reciprocitetit. Dihet se më fqinjin tonë verior nuk është as njëra as tjetra”, shpjegon ai për Albanian Post.

Duke komentuar kushtin e artikuluar së fundmi nga kryeministri, Bajraktari, potencon se ndonëse një kërkesë e tillë është legjitime, një gjë e tillë nuk duhet parashtruar krye në vete.

“Duhet koordinim me aleatët dhe partnerët strategjik, ndryshe, kushtet e tilla mund të duken të mira në letër dhe për konsum të politikës ditore, por realizimi i tyre vështirë se do të jetë i mundshëm”.

Formalizimi i Marrëveshjes Bazë, tërheqja e letrës zyrtare të ish-kryeministres së Serbisë dorëzuar Bashkimit Evropian dhe dorëzimi i Milan Radojiçiç dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet kosovare, ishin së fundmi tri kushtet e paraqitura nga ana e kryeministrit, Albin Kurtit, për angazhimin e mëtejmë të Kosovës në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.

Takimi i nivelit të lartë të dialogut i 26 qershorit përfundoi pa ndonjë rezultat konkret, meqë Kurti refuzoi takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pa plotësimin e këtyre tri kushteve.

Në të njëjtën linjë të mendimit me Bajraktarin është edhe ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi.

Ajo çfarë mund të pretë Kosova, gjithë në këtë mes, sipas vlerësimit të Selimit, është gjykimi i Radojiçiç-it në Serbi.

Sipas diplomatit kosovar ky kusht i Kurtit përveç se është ironike është edhe vështirë e realizueshme në terren.

“Kjo është ironike. Kushtetuta e Serbisë ndalon ekstradimin, nëse Serbia e refuzon Kushtetutën e vetë – ajo gjithashtu e njeh pavarësinë e Kosovës”, shkroi ai në platformën sociale, X.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit