Gjykata Kushtetuese ka vendosur lidhur me kërkesën e deputetëve të PDK-së dhe LDK-së lidhur me votimin e fshehtë, për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Sipas vendimit të Kushtetueses të publikuar sot, deputetëve u ndalohet çdo veprim pas kalimit të afatit prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit.
Njoftimi i plotë:
Njoftim për Vendim për ex officio masë të përkohshme
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur ex officio masë të përkohshme në rastet KO193/25 dhe KO196/25, të parashtruara nga: Memli Krasniqi dhe 12 (dymbëdhjetë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Hykmete Bajrami dhe 10 (dhjetë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas përfundimit të afatit 30 (tridhjetë) ditor, sikurse është të përcaktuar me paragrafin 2 të pikës II të dispozitivit të Aktgjykimit KO124/25.
Gjykata, më 24 korrik 2025, ka vendosur njëzëri:
I. TË CAKTOJË ex officio masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo vendim dhe veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me Seancën Konstituive pas përfundimit të afatit 30 (tridhjetë) ditor, sikurse është përcaktuar me paragrafin 2 të pikës II të dispozitivit të Aktgjykimit KO124/25;
II. TË URDHËROJË që masa e përkohshme hyn në fuqi më 27 korrik 2025 në kohëzgjatje deri më 8 gusht 2025;
III. T’UA KUMTOJË këtë Vendim palëve;
IV. TË PUBLIKOJ këtë Vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
V. Ky Vendim hyn në fuqi më 27 korrik 2025.
Për të lexuar Vendimin për ex officio masën e përkohshme klikoni këtu
Vërejtje:
Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretaria e Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit do t’u dorëzohet të gjitha palëve të përfshira në rast dhe do të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org