Institucioni i Avokatit të Popullit, vitin e kaluar e kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese, Statutin e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK).
Kjo pasi ky institucion dyshonte se përmes këtij Statuti, pikërisht paragrafit 1 të nenit 11, ishte paraparë mbyllja e shërbimeve shëndetësore në sektorit publik për ta favorizuar sektorin privat.
Pretendimet e Avokatit të Popullit ishin mbështetur nga deputeti Armend Zemaj, nga Kryetarja e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës si dhe nga Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, ndërsa ishin kundërargumentuar nga kryeministri tashmë në detyrë, Albin Kurti, raporton Klankosova.tv.
E Gjykata Kushtetuese ka dalë sot me aktgjykim për këtë rast, duke konstatuar se paragrafi 1 i nenit 11 (Organizimi i shërbimeve shëndetësore në spitalet e përgjithshme) të Statutit për ShSKUK, i miratuar përmes Vendimit të Qeverisë më 27 dhjetor 2023, “nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 51 [Mbrojtja Shëndetësore dhe Sociale] në lidhje me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] dhe paragrafin 4 të nenit 92 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.
Gjithashtu, Kushtetuesja ka vendosur njëzëri që të urdhërojë Qeverinë, që në pajtim me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës, “të ndërmarrë veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e paragrafit 1 të nenit 11 (Organizimi i shërbimeve shëndetësore në spitalet e përgjithshme) të Statutit (QRK) nr. 01/2023 për Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar, i miratuar përmes Vendimit [Nr. 29/180] të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të 27 dhjetorit 2023, në pajtim me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi dhe këtë Aktgjykim”.
Po ashtu, Gjykata ka konstatuar se deri në plotësimin dhe ndryshimin e paragrafit 1 të nenit 11 (Organizimi i shërbimeve shëndetësore në spitalet e përgjithshme) të Statutit (QRK) nr. 01/2023 për ShSKUK, i miratuar përmes Vendimit [Nr. 29/180] të Qeverisë së Kosovës të 27 dhjetorit 2023, “spitalet e përgjithshme të ofrojnë shërbimet shëndetësore siç janë të përcaktuara në nënparagrafin 1.1 të paragrafit 1 të nenit 12 (Shërbimi i kujdesit shëndetësor dytësor) të Ligjit Nr. 05/L-025 për Shëndetin Mendor”.
Dhe në fund, Gjykata tha se ka vendosur të refuzojë kërkesën për masë të përkohshme.
“Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se paragrafi 1 i nenit 11 (Organizimi i shërbimeve shëndetësore në spitalet e përgjithshme) të Aktit të kontestuar është në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 51 [Mbrojtja Shëndetësore dhe Sociale] në lidhje me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] dhe paragrafin 4 të nenit 92 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha Gjykata Kushtetuese në njoftimin për media mbi aktgjykimin.
Gjykata tha se Avokati i Popullit kontestoi kushtetutshmërinë e paragrafit 1 të nenit 11 (Organizimi i shërbimeve shëndetësore në spitalet e përgjithshme) të Statutit (QRK) nr. 01/2023 të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, i cili përcakton që spitalet e përgjithshme ofrojnë shërbimet shëndetësore si në vijim: (i) kirurgji e përgjithshme; (ii) interno; (iii) pediatri; (iv) gjinekologji dhe obstetrikë; dhe (v) emergjenca mjekësore.
“Avokati i Popullit pretendoi se kjo dispozitë e Aktit të kontestuar, pasi që nuk përcakton ‘kujdesin mendor’ si shërbim dytësor shëndetësor që ofrohet nga spitalet e përgjithshme, ‘redukton’ (i) shërbimet shëndetësore për kujdes mendor për qytetarët; dhe (ii) stafin shëndetësor dhe administrativ në këto spitale, në kundërshtim me frymën e Ligjit Nr. 04/L-125 për Shëndetësi, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjet Nr. 08/L-043 dhe Nr. 08/L-176 dhe Ligjin Nr. 05/L-025 për Shëndet Mendor; dhe se rrjedhimisht (iii) si akt i miratuar nga Qeveria kufizon të drejtat kushtetuese të përcaktuara në nenet 7 [Vlerat], 24 [Barazia para Ligjit], 51 [Mbrojtja Shëndetësore dhe Sociale] dhe 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës, respektivisht”.
Në kontekst të vlerësimit nëse Akti i kontestuar është nxjerrë në “pajtueshmëri me Kushtetutën dhe ligjet”, Gjykata sqaron se nënparagrafi 1.1 i paragrafit 1 të nenit 12 të Ligjit Nr. 05/L-025 për Shëndetin Mendor, përcakton shprehimisht që shërbimet e kujdesit mendor ofrohen në nivel të kujdesit dytësor shëndetësor përmes Departamenteve të Psikiatrisë në spitalet e përgjithshme, ndërsa paragrafi 1 i nenit 11 të Aktit të kontestuar ka përcaktuar llojet e shërbimeve shëndetësore që ofrohen në spitalet e përgjithshme sipas një liste shteruese, e ku bëjnë pjesë vetëm: (i) Kirurgjia e përgjithshme; (ii) Interno; (ii) Pediatria; (iii) Gjinekologjia dhe Obstetrika; (iv) Emergjenca mjekësore, raporton Klankosova.tv.
“Duke qenë se Akti i kontestuar nuk ka përfshirë shërbimet e kujdesit mendor në këtë listë të ofrimit të shërbimeve, ashtu siç përcaktohet me “ligj”, Gjykata vlerësoi se e drejta e qytetarëve për kujdes shëndetësor, e garantuar me nenin 51 [Mbrojtja Shëndetësore dhe Sociale] të Kushtetutës, e cila dispozitë garanton se kjo e drejtë rregullohet me ligj, është kufizuar përmes paragrafit 1 të nenit 11 të Aktit të kontestuar”, potencoi Gjykata Kushtetuese në aktgjykim.