Gjykata Kushtetuese ka njoftuar sot presidenten Vjosa Osmani se Ligji për Pagën minimale mund të dekretohet vetëm pasi Kushtetuesja të nxjerrë vendimin përfundimtar.
Kështu bëri të ditur për teve1.info, Bekim Kupina, këshilltari i presidentes Osmani.
”Pas pranimit të kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij ligji, Gjykata Kushtetuese e ka njoftuar Presidenten Osmani për kontestimin e ligjit. Përmes këtij njoftimi, bazuar në Kushtetutë dhe ligjin për Gjykatën Kushtetuese, gjykata e ka njoftuar Presidenten se ky ligj, mund të dekretohet dhe të hyjë në fuqi, vetëm pasiqë Gjykata Kushtetuese ta ketë nxjerrë vendimin përfundimtar për ligjin e kontestuar, sipas praktikave standarde që ndiqen në raste të tilla dhe që janë në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për GJK”, deklaroi ai.
Javë më parë, presidentja Osmani ka theksuar se nuk do ta dekretojë Ligjin për Pagën Minimale pa vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Ligji për Pagën Minimale është miratuar në Kuvendin e Kosovës, në lexim të dytë, më 13 korrik. Ligj ky që parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht.
Gjithashtu, ky Ligj ka përjashtuar veteranët e UÇK-së, të cilët kanë reaguar duke thirrur protesta pas miratimit të tij.