Gjykata Kushtetuese ka nxjerr aktgjykimin e saj lidhur me çështjen e presidentit, duke vendosur se dekreti i presidentes Vjosa Osmani ‘’nuk prodhon asnjë efekt juridik’’.
Komunikata e plotë:
Njoftim për publikimin e aktgjykimit KO72/26 dhe KO74/26
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 25 mars 2026, ka vendosur për kërkesat e bashkuara në rastet KO72/26, të parashtruar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe KO74/26, të parashtruar nga znj. Arbërie Nagavci dhe 30 (tridhjetë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bazuar në autorizimet e përcaktuara me paragrafin 2 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nëpërmjet së cilës është kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë “së dekretit nr. 24/2026 të datës 06.03.2026, të Presidentes së Republikës së Kosovës, lidhur me shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës.”
Gjykata, njëzëri, vendosi:
I. TË DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;
II. TË KONSTATOJË që Dekreti [nr.24/2026] i 6 marsit 2026 i Presidentes së
Republikës së Kosovës nuk prodhon asnjë efekt juridik;
III. TË KONSTATOJË që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga dita e hyrjes
në fuqi të këtij Aktgjykimi kanë tridhjetë e katër (34) ditë për të zhvilluar dhe
përfunduar procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës ;
IV. TË KONSTATOJË që në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë Presidentin brenda
periudhës së përcaktuar në pikën III të dispozitivit të këtij Aktgjykimi, bazuar në
nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së
Republikës së Kosovës, Kuvendi shpërndahet ex constitutione, dhe për pasojë,
zgjedhjet e parakohshme për Kuvend duhet të zhvillohen brenda dyzet e pesë (45)
ditësh, ashtu siç përcaktohet me paragrafin 2 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe
paragrafin 6 të nenit 86 [Zgjedhja e Presidentit] të Kushtetutës së Republikës së
Kosovës;
V. TË KONSTATOJË që Vendimi i Gjykatës për vendosjen e masës së përkohshme, i 9
marsit 2026 shfuqizohet me hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi;
VI. T'UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;
VII. TA PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në
pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën
Kushtetuese të Republikës së Kosovës;
VIII. TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi menjëherë.






