Në një kohë kur shtetet fqinje dhe ato evropiane po investojnë në motivimin dhe përkrahjen e forcave të tyre të sigurisë, institucionet e Kosovës duket se po ndjekin një rrugë të kundërt, duke minuar dinjitetin dhe moralin e Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe zjarrfikësve. Vendimet e fundit, si ndalimi i kompensimit për punën jashtë orarit për zyrtarët policorë, janë dëshmi e një qasjeje të papërgjegjshme dhe shkelje e të drejtave të këtyre profesionistëve.
Sipas një urdhri, është ndaluar evidentimi i orëve shtesë, duke përfshirë edhe rastet kur zyrtarët angazhohen në trajnime të brendshme, ricertifikim apo punë jashtë orarit. Kjo bie ndesh me Ligjin për Policinë e Kosovës, i cili parashikon kompensime për detyra të rrezikshme, punë nën stres, jashtë orarit, gjatë festave dhe për caktime në punë të veçanta. Në vend që të përmbushen këto obligime ligjore, institucionet po i mohojnë zyrtarëve të drejtën e tyre legjitime për kompensim.
Këto masa kanë shkaktuar pakënaqësi të thella dhe paralajmërime për greva në shumë sektorë. Në një kohë kur vendet e tjera po investojnë në motivimin e kuadrove të sigurisë, Kosova po i demotivon ata, duke dekurajuar pjesëmarrjen në trajnime dhe angazhimet shtesë. Kjo qasje e papërgjegjshme rrezikon të krijojë kaos dhe trazira, duke na rikthyer në situata të ngjashme me ato të marsit 2004, duke e kthyer vendin pas në progresin e arritur.
Për më tepër, Kosova ka mbetur pa asnjë kontratë lobimi në Washington dhe pa staf adekuat në ambasadë. Kjo tregon një neglizhencë të pafalshme nga ana e institucioneve shtetërore, duke larguar vendin nga aleatët kryesorë dhe duke dobësuar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.
Është koha që institucionet e Kosovës të marrin përgjegjësinë dhe të ndalojnë këtë qasje destruktive ndaj forcave të sigurisë dhe interesave kombëtare. Nëse kjo neglizhencë vazhdon, pasojat do të jenë të rënda jo vetëm për zyrtarët e prekur, por për të gjithë qytetarët dhe të ardhmen e vendit.
Prandaj, natyrshëm shtrohet pyetja: A jemi duke përmbushur agjendën e atyre që nuk ia duan të mirën Kosovës? Ironikisht, edhe ata vetë nuk do ta kishin dëmtuar vendin në këtë mënyrë. Po krijojmë një realitet ku profesionistët e aftë dhe të përkushtuar po demotivohen, duke u detyruar të largohen nga institucionet dhe, në shumë raste, edhe nga vetë vendi. Në vend që të ndërtojmë një shtet funksional dhe të mbështesim ata që mund ta çojnë përpara, po e dobësojmë shtetin duke shkatërruar strukturat e tij nga brenda.
Njëkohësisht, po e largojmë veten nga aleati ynë më i madh dhe më besnik – Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një botë ku fuqia dhe mbështetja ndërkombëtare janë jetike për ekzistencën dhe zhvillimin tonë, ne po zgjedhim të izolohemi dhe të përçajmë marrëdhëniet me mikun tonë më të fuqishëm.
Kosovë, Zoti të ndihmoftë, sepse ata që duhet të të mbrojnë dhe të të zhvillojnë, po të shkatërrojnë çdo ditë