6.3 C
New York
Friday, November 29, 2024

Buy now

Kush janë “partnerët alternativë” të Escobarit për Asociacionin?

- Advertisement -
Deklaratat e të dërguarit të posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar se, në rast se Qeveria e Kosovës nuk do që të jetë pjesë e procesit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, atëherë për këtë do të diskutohet me “partnerë alternativë”, është kërcënim për Qeverinë e Kosovës, thotë Arton Demhasaj, drejtor i organizatës joqeveritare “Çohu”.

Opozita e Kosovës thotë se po të ishte në pushtet, do të bashkëpunonte me Shtetet e Bashkuara.

Këmbëngulja e SHBA-së për formimin e Asociacionit, sipas tij, është e drejtë për shkak se Kosova duhet t’i kryejë obligimet ndërkombëtare që ka marrë përsipër.

Escobar, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 13 dhjetor, ka deklaruar se Asociacioni do të formohet, se SHBA-ja do të jetë pjesë e procesit, dhe se aty duhet të përfshihet Qeveria e Kosovës.

Në të kundërtën, siç ka thënë ai, “ne mund ta zhvillojmë atë diskutim me partnerë alternativë, me shoqërinë civile, me grupet e të rinjve, me komunitetin e biznesit, me të gjithë që do të donin të shihnin Serbinë dhe Kosovën duke dalë nga ky cikël i jostabilitetit”.

Në këtë pikë, siç thotë Arton Demhasaj, deklarata e Escobarit, që i referohet një diskutimi të mundshëm “me partnerët alternativë”, është mesazh për Qeverinë e Kosovës.

“Sa i përket ‘alternativës’, mendoj që nuk bëhet fjalë që (Asociacioni) të themelohet, ose të fillohen procedurat e themelimit të Asociacionit me organizata joqeveritare apo me komunitet të biznesit. Por, unë mendoj që ky është një lloj kërcënimi drejtuar Qeverisë që, ‘në rast se ju nuk lëvizni tutje me obligimet që i keni, atëherë ne mund të kërkojmë partnerë tjerë alternativë’. Unë mendoj që , ‘partnerë alternativë’ janë partitë tjera, që mund të vijnë në pushtet dhe pastaj me to të fillohet të bashkëpunohet për t’i kryer obligimet që Kosova i ka marrë dhe i ka para vetes”, thotë Demhasaj.

Qeveria e Kosovës, në krye të së cilës është Albin Kurti, në vazhdimësi ka kundërshtuar formimin e Asociacionit, duke thënë se nuk mund të formojnë asociacion një-etnik.

Marrëveshja për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, është arritur në vitin 2013, në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi në Bruksel.

Më pas, më 2015, është arritur marrëveshja mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se disa pika të kësaj marrëveshjeje nuk janë në harmoni me frymën kushtetuese dhe se ato duhet të harmonizohen.

Parimet e Asociacionit “nuk janë tërësisht” në përputhshmëri me Kushtetutën
Jahjaga ka deponuar kërkesën e saj për Asociacionin në Kushtetuese
Nga Qeveria e Kosovës nuk i kanë komentuar deklaratat e Escobarit.

Opozita si “alternativë” e Escobarit

Miodrag Miliçeviq, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare, Aktiv, nga Mitrovica e Veriut, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, vlerëson se Qeveria e Kosovës aktualisht gjendet nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare, por edhe të partive opozitare në Kosovë.

Siç thotë ai, nga kryeministri Albin Kurti po kërkohet që të jetë më fleksibil dhe bashkëpunues ndaj kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë lidhur me nevojat e komunitetit serb dhe përfaqësuesve të tyre politikë.

Në këtë kontekst, sipas tij është edhe deklarata e Escobarit.

“Në këtë kuptim, supozimi është që zoti Escobar, kur ka përmendur ‘alternativat’, në fakt ka menduar përfaqësuesit e partive politike opozitare”.

“Është çështje tjetër nëse zoti Escobar ka menduar se është e mundur që të ndikohet në procesin zgjedhor dhe në zgjedhjet e reja eventuale në Kosovë. Kjo më pas është çështje politike dhe relevante për përfaqësuesit politikë në Kosovë”, tha Miliçeviq.

Partitë opozitare: Do të bashkëpunonim me SHBA-në

Partitë më të mëdha opozitare në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, vlerësojnë se Qeveria aktuale e ka legjitimitetin e plotë për të përfaqësuar Kosovën, por edhe përgjegjësinë e plotë për t’iu përgjigjur sfidave dhe interesave të vendit.

Sipas tyre marrëveshjet e arritura në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, duhet të zbatohen edhe në praktikë, përfshirë edhe marrëveshjen për formimin e Asociacionit. Megjithatë, sipas tyre, kjo marrëveshje duhet të zbatohet në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të vitit 2015, si dhe në përputhje me ligjet e Kosovës.

Escobar ka deklaruar se Asociacioni duhet të formohet “në kuadër të strukturës kushtetuese të Kosovës dhe plotësisht sipas ligjeve të Kosovës”.

Përfaqësuesit e PDK-së dhe LDK-së nuk kanë dashur të komentojnë deklaratën e Escobarit lidhur me çështjen e diskutimit “me partnerë alternativë” për procesin e formimit të Asociacionit.

Megjithatë, Radio Evropa e Lirë i ka pyetur ata se cila do të ishte përgjigja e tyre ndaj kërkesave të SHBA-së për formimin e Asociacionit, në rast se ato do të ishin në pushtet?

Zenun Pajaziti, anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se kjo parti nuk do t’i shmangej përgjegjësive dhe bashkëpunimit me SHBA-në.

“Nuk besoj që na duhet një përgjigje shtesë, përveç një rekapitullimi të asaj që ka ndodhur përpara. Partia Demokratike (e Kosovës) asnjëherë nuk u ka ikur përgjegjësive të veta për sa i përket dialogut dhe për sa i përket bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë”, tha Pajaziti.

Shqipe Mjekiqi, nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës thotë se nuk mund të japë një përgjigje se çfarë do të mund të ndodhte në rast se partia e saj do të ishte në pushtet aktualisht.

Por, ajo thotë se secila Qeveri duhet të ketë përgjegjësi përballë obligimeve.

“E para, është me rëndësi që të ketë koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E dyta, të pranojmë se ka obligime, të cilat rrjedhin nga marrëveshjet që tashmë janë nënshkruar, pavarësisht se ato janë bërë në një kohë të mëhershme dhe nga një parti ose qeveri që ka qenë në pushtet në atë kohë”, tha Mjekiqi.

Nga Lista Serbe, partia kryesore e komunitetit serb në Kosovë, nuk janë përgjigjur në pyetjet e Radios Evropa e Lirë lidhur me deklaratën e Escobarit për “partnerët alternativë” të cilët i përmend në kontekstin e procesit të formimit të Asociacionit.

Përderisa Kosova refuzon krijimin e Asociacionit, kjo çështje është shndërruar në kusht të Serbisë për çfarëdo lloji të bisedimeve të mëtejshme me Kosovën.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicën e Veriut, Kllokotin, Parteshin, Ranillugun, Graçanicën, Zveçanin, Zubin Potokun, Novobërdën, Leposaviqin dhe Shtërpcën.

Që nga nënshkrimi i marrëveshjes për Asociacionin, më 2013, si dhe marrëveshjes për parimet, më 2015, është shënuar vetëm një përpjekje drejt formimit të tij, në vitin 2018, nga Qeveria që asokohe udhëhiqej nga Ramush Haradinaj.

Hapat e parë kishin të bënin me hartimin e statutit për Asociacionin, për çka u angazhua një ekip menaxhues i përbërë prej katër zyrtarëve serbë. Ky ekip kishte afat deri më 4 gusht të vitit 2018 që të dërgonte në Bruksel draftin e parë të statutit për Asociacion.

Autoritetet e Prishtinës asokohe thanë se nuk kanë pranuar një draft të statutit për Asociacionin.

As nga blloku evropian asnjëherë nuk e kanë pohuar apo mohuar se e kanë pranuar këtë propozim-dokument. /REL/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit