Sipas autoriteteve izraelite, këto sulme të paprecedent synuan objektet bërthamore të Iranit, fabrikat e raketave balistike dhe komandantë ushtarakë, me qëllimin për të penguar Teheranin të zhvillojë një armë bërthamore.
Më poshtë janë të dhënat për katër gjeneralët që raportohet se janë vrarë:
Hossein Salami
Gjeneralmajor Hossein Salami ka qenë komandant i përgjithshëm i Gardës Revolucionare që nga viti 2019.
Ai ndodhej nën sanksione ndërkombëtare që nga viti 2006, si “person i përfshirë në programin iranian të raketave balistike”, sipas një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Salami ndodhej gjithashtu në listat e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë, Zvicrës, Australisë dhe Japonisë.
Mohammad Baqeri
Gjeneralmajor Mohammad Baqeri ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Iranit që nga viti 2016, dhe zyrtarisht figura e dytë më e fuqishme në ushtri, pas liderit suprem, ajatollahut Ali Khamenei.
Ai u ngrit në radhët e Gardës Revolucionare, që dominon strukturat më të larta të ushtrisë iraniane, dhe kontrollon planifikimin, operacionet, inteligjencën, operacionet e fshehta dhe jo të rregullta, si dhe sigurinë e brendshme.
Garda Revolucionare është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.
Gholam Ali Rashid
Gjeneralmajor Gholam Ali Rashid ishte zëvendëskomandant i përgjithshëm i forcave të armatosura të Iranit dhe konsiderohej si një nga figurat më të respektuara ushtarake në vend.
Që nga viti 2015, ai drejtonte shtabin qendror të Khatam-ol-Anbia, njësinë më të lartë operacionale të ushtrisë iraniane.
Që nga viti 2016, ky shtab është ndarë nga Shtabi i Përgjithshëm, dhe ka marrë përsipër komandën dhe kontrollin operacional.
Amir Ali Hajizadeh
Gjeneral brigade Amir Ali Hajizadeh ishte komandant i Forcës Ajrore të Gardës Revolucionare që nga viti 2009.
Nën sanksione të SHBA-së që nga viti 2019, Hajizadeh ishte një figurë kyç në programin e raketave dhe dronëve të Iranit, dhe luajti një rol qendror në operacionet e fundit kundër Izraelit.
Ai u bë fytyrë e njohur ndërkombëtarisht kur doli drejtpërdrejt në televizion për të pranuar se Garda Revolucionare kishte rrëzuar gabimisht avionin e fluturimit 752 të linjës Ukraine International Airlines, në janar të vitit 2020, duke fajësuar “gabimin njerëzor”. /REL/