Gati tash e dy vite, Kosova dhe Amerika nuk e kanë pasur asnjë kontratë aktive lobimi; vendi po rrezikon të bëhet i padukshëm për ata që vendosin në SHBA.
Presidentja Vjosa Osmani, muajt e fundit u pa shumë aktive në arenën ndërkombëtare, ndërsa pjesëmarrja e saj në ceremoninë e nënshkrimit në bordin
Në mungesë të lobimit zyrtar në SHBA, presidentja Vjosa Osmani u shfaq muajt e fundit si një ndër figurat më aktive në arenën ndërkombëtare. Pjesëmarrja e saj në ceremoninë e nënshkrimit për Bordin e Paqes dhe takimet me presidentin Donald Trump kapën vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Donika Emini, njohëse e zhvillimeve politike, tha se Kosova për gati dy vjet ka pasur shumë pak zëra aktivë në Washington D.C. Emini vlerëson se mungesa e kontratave të lobimit e dobëson aftësinë e Kosovës për të komunikuar interesat e saj.
“Është realisht shqetësuese për faktin që SHBA nuk funksionon si Bashkimi Evropian me vendet e BE-së, me vetë Brukselin mund t’i menaxhosh marrëdhëniet bilaterale vetë, dmth, në kanale zyrtare përmes përfaqësuesve të shtetit, mirëpo me SHBA për atë funksionon ai ligj, funksionon ajo platformë dhe ajo mundësi, sepse gjithçka bëhet përmes lobimit, asgjë nuk është rastësore. Nuk e kemi një elitë politike e cila e njeh Ballkanin me detaje, nuk kemi lobistë atje apo senatorë siç kemi pasur në të kaluarën”, tha Emini për Radio Evropa e Lirë.
Vesko Garçeviq, profesor i praktikës së marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Bostonit, vlerëson se pa lobistë që japin informacione nga brenda, Kosova rrezikon t’i keqkuptojë prioritetet e SHBA-së.
“Serbia sidomos ka investuar jashtëzakonisht shumë, si financiarisht ashtu edhe përmes lidhjeve të saj në ndërtimin e rrjetit të lobimit. Ndaj, po të isha në vendin e Qeverisë së Kosovës, do ta bëja të njëjtën gjë, do të mendoja për të angazhuar dikë me ndikim që i përfaqëson interesat e Kosovës jashtë zyrës diplomatike që Kosova ka në Washington D.C.”, tha profesori.
Serbia aktualisht ka 6 kontrata aktive në Aktin e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA), ndërsa nga vendet e tjera të rajonit, Bosnje e Hercegovina ka 14 kontrata aktive, shumica prej tyre të lidhura nga Republika Srpska. Shqipëria ka 4, ndërsa Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë asnjë.






