Në hulumtimin e Pravas përveç emrit të kryeministrit Albin Kurti është edhe një emër tjetër… një aktiviste shumë e njohur sllovene. Ajo quhet Nika Kovaç (Nika Kovač). Kush është ajo?
Së pari, çka thotë Prava në pjesën e dytë?
Në pjesën e dytë ku flitet për GEN-i Tiranë, hidhen dyshime se 14 milionë euro do të zhdukeshin në mënyrë ligjore për të mbuluar atë që e konsiderojnë si vrimë financiare të kësaj dege të kompanisë.
“Ka shumë dyshime se me këto para janë financuar edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe aktivistja sllovene Nika Kovaç!” – shkruan Prava.
“Ka pasur disa sugjerime dhe informacione se paratë janë transferuar nga njëra nga filialet e GEN-I jashtë vendit për fushatën zgjedhore të kryeministrit aktual të Kosovës, Albin Kurti, dhe se një pjesë e parave i ka shkuar një organizatë jo qeveritare,” thuhet tutje në artikullin e Prava-s.
Dhe tash të merremi me Nikën.
Artikulli nuk ofron asnjë detaj se për çfarë arsyesh emri i aktivistes sllovene ndodhej afër emrit të kryeministrit Albin Kurti por megjithatë e para ka profil publik goxha të madh në vendin prej nga vjen.
Nika Kovaç del se është një aktiviste sllovene 29 vjeçare që ka studiuar për Antropologji në Universitetin e Lubjanës. Aktivitetet e saj politike, përkundër moshës së re, janë të shumta.
Ajo ka koordinuar fushatën e Referendumit për Ndryshimin e Ligjit për Martesën dhe marrëdhëniet familjare ku edhe është bërë e njohur. Po ashtu ajo ka themeluar Institutin 8 marsi dhe ka qenë anëtare e Iniciativës për Social-Demokraci.