Dizajneri i njohur i modës, Giorgio Armani, ka ndërruar jetë në moshën 92-vjeçare. Lajmin e ka konfirmuar kompania e tij me një njoftim të shkurtër: “Me pikëllim të pafund, Grupi Armani njofton vdekjen e krijuesit, themeluesit dhe forcës së pandalshme që e udhëhoqi: Giorgio Armani”.
I njohur si një punëtor i palodhur, Armani ishte i përfshirë në çdo aspekt të brendit dhe sfilatave të tij. Pas vdekjes së tij, kontrolli mbi perandorinë ikonike Armani pritet të ndahet mes gjashtë trashëgimtarëve të përzgjedhur me kujdes, shkruan DailyMail.
Adhuruesit e modës tashmë pyesin se kush do të jetë pasardhësi i tij dhe kush do të trashëgojë pasurinë e tij prej miliarda dollarësh.

Kompania e tij gjeneronte rreth 2.7 miliardë dollarë (2.3 miliardë euro) në vit, ndërsa perandoria e Armanit vlerësohej mbi 12.1 miliardë dollarë (10.3 miliardë euro). Në këtë pasuri përfshiheshin veshje, aksesorë mode, mobilje për shtëpi, parfume, kozmetikë, libra, lule, madje edhe çokollata.
Në një intervistë për Financial Times në gusht, Armani pati thënë se dëshironte që trashëgimtarët të ishin bashkëpunëtorët dhe familjarët e tij më të afërt. Ai nuk kishte fëmijë dhe nuk ishte martuar kurrë, ndonëse ka pasur marrëdhënie si me burra, ashtu edhe me gra.
Raportet e kompanisë dhe të mediave tregojnë se trashëgimtarët e tij janë: motra Rosanna, dy mbesat, një nip, partneri i tij dhe krahu i djathtë Leo Dell’Orco, si dhe fondacioni bamirës që ai themeloi.

Të gjithë këta tashmë janë pjesë e bordit drejtues të kompanisë dhe, sipas statutit që Armani kishte hartuar në vitin 2016, do të marrin aksione sipas funksioneve që mbajnë. Nipërit dhe mbesat e tij kanë pozita të larta brenda shtëpisë luksoze të modës.
“Ashtu siç e kam menduar, planin e trashëgimisë e kam ndërtuar mbi një proces gradual të transferimit të përgjegjësive që gjithmonë i kam mbajtur vetë, tek ata që më qëndrojnë më afër”, pati deklaruar Armani në atë kohë, duke e përmendur Dell’Orcon, drejtor i linjës së modës për meshkuj, si një nga figurat kyçe.
Dell’Orco drejtonte modën për meshkuj në të gjitha linjat kryesore: Giorgio Armani, Emporio Armani dhe Armani Exchange. Për shumë vite ai u konsiderua krahu i djathtë dhe pjesë e familjes.

Edhe pse Armani rrallë fliste publikisht për jetën private, ai e ka quajtur Dell’Orcon personin më të afërt me të, me të cilin kishte ndarë shumë vite bashkëjetese. Në biografinë e tij Per Amore (2022), Armani shkroi: “Ai është personi të cilit i kam besuar mendimet e mia më private – personale, profesionale e të tjera – dhe ai i ka ruajtur me diskrecion të madh.” Çifti nuk ishte martuar, por Armani kishte treguar se mbante një unazë diamanti “shumë të veçantë”.
Motra e tij Rosanna ka pasur gjithashtu rol në zhvillimin e perandorisë së tij të modës. Armani kishte edhe një vëlla, Sergio, me të cilin ishte i lidhur ngushtë. Madje Rosanna kishte pozuar si modele në fushatën pranverë/verë të vitit 1979.
Ndër trashëgimtaret e mundshme përmendet edhe mbesa Silvana Armani, e cila punoi përkrah xhaxhait në koleksionet për femra. Një tjetër mbesë, Roberta Armani, ishte shumë e afërt me të. Ajo la karrierën e saj në film për t’u bërë drejtoreshë e marrëdhënieve me publikun në kompaninë e xhaxhait dhe shpesh e përfaqësonte atë në evente ndërkombëtare.
Trashëgimtarët e tij pritet të ndajnë jo vetëm pasurinë e madhe, por edhe pronat e shumta: shtëpi në Milano, Toskanë, St. Tropez, Antigua dhe New York. Armani ishte gjithashtu pronar i ekipit të basketbollit Olimpia Milano, si dhe i një superjahti luksoz prej 60 milionë dollarësh, të gjatë 60 metra, ndërtimi i të cilit kishte zgjatur plot 30 muaj.