Kanë kaluar dy javë që nga data e mbajtës së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.
E nga ky proces fituese doli Lëvizja Vetëvendosje, ku sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka marrë 40.96% të votave.
Por, këto vota nuk i mjaftojnë këtij subjekti që ta formojë qeverinë vetë.
Prandaj, eksperti i çështjeve politike Mazllum Baraliu, thotë se do të ketë zvarritje deri në themelimin e ekzekutivit.
Mirëpo ai pret bashkëpunime ndërmjet partive politike.
“Kemi një pozicion i cili nuk është komod për asnjërën palë dhe mund të këtë vështirësi dhe zvarritje në formimin fillimisht të Kuvendit dhe organeve të tij dhe pastaj dhe të qeverisë. Një qeverisje gjithëpërfshirëse me bazë të gjerë kombëtare, pra të gjitha partitë që kanë fituar vende në parlament, pra partitë të shumicës shqiptare me komunitet pakicë jo serbe, pra një qeverisje e tillë do të mund të ishte baza e sigurt për një stabilitet qeverisës”, tha Baraliu.
Kurse profesori universitar, Nexhmedin Spahiu nuk pret që të ketë zvarritje në formimin e qeverisë.
Por ai sheh një koalicion pas zgjedhor.
“Është evidente që do të ketë një koalicion ndërmjet Vetëvendosjes, NISMA-së, minoriteteve jo shumicë dhe Rashiqit. Nuk do të ketë zvarritje besoj negociatat do të kryhen shpejtë dhe menjëherë pas certifikimit do të kemi edhe qeverinë e re”, tha Spahiu.
Sipas Spahiut, jetëgjatësia e këtij koalicioni do të jetë deri në vitin e ardhshëm.
“Tash është çështje pazaresh ku do të ketë një negocim edhe secila palë mundohet ta shtyjë pazarin për veti por nuk do të thotë që do të arrihet te ketë, pasi është interes i dyja palëve. Po deri në zgjedhjen e presidentit sepse deri atëherë mund të ndryshojnë shumë gjëra dhe te na zgjedhja e presidentit ka shkaktuar krizë politike”, tha Spahiu.
Ditë më parë, i pari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj është shprehur i gatshëm për të bashkëpunuar me partinë e Kurtit. Por nga Vetëvendosje ende nuk janë deklaruar rreth kësaj mundësie.