Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se me miratimin e koeficientit për pagën në sektorin publik, përfundon një proces të gjatë dhe të domosdoshëm të vendosjes së barazisë, profesionalizmit dhe drejtësisë për të gjithë punëtorët në sektorin publik.
Kusari-Lila tha se koeficienti do të sigurojë kredibilitet të procesit të përcaktimit të pagave.
“Ky proces, përveç se e rregullon kategorizimin në bazë të pozitave në tërë sistemin njëtrajtësisht, gjithashtu siguron kredibilitet të procesit të përcaktimit të pagave, pasi vlera e koeficientit lidhet me miratimin e buxhetit çdo vit kalendarik”, ka shkruar Kusari-Lila në Facebook.
Ajo shtoi se tani do të angazhohen të punojnë për ngritjen e standardit dhe mbikëqyrjen e kushteve në sektorin privat.