14.9 C
New York
Tuesday, September 9, 2025

Buy now

Kusari-Lila: Zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e reja, nuk ka kthim në normalitet pas kësaj bllokade

- Advertisement -

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se në rrethanat aktuale politike në Kosovë, zgjidhja e vetme për të dalë nga kriza mbeten zgjedhjet e reja parlamentare.

Ajo vlerëson se situata e krijuar në Kuvend ka tejkaluar kuadrin normal institucional dhe nuk ka më hapësirë për kthim në funksionim të zakonshëm.

“Nëse do të kemi aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, megjithatë unë mendoj që në aspektin demokratik dhe të funksionimit institucional, zgjidhja e vetme nga situata aktuale janë zgjedhjet e reja parlamentare. Nuk e shoh të mundshme kthimin në normalitet pas gjithë kësaj bllokade”, ka deklaruar Kusari-Lila për IndeksOnline.

Ajo ka kritikuar qasjen e opozitës, e cila sipas saj, po shmang përgjegjësinë përmes kërkesave në Kushtetuese, në vend që të marrë përgjegjësinë përmes votës në Kuvend.

“Deputetët e Kuvendit, në vend se të marrin përgjegjësinë me votë për obligimet që ju takojnë, vendosin të kërkojnë zgjidhje përmes vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Andaj, në rrethana të tilla, më përmbajtësore do të ishte që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, në funksion të demokracisë dhe vullnetit të sovranit”, u shpreh ajo.

Sipas Kusari-Lilës, përveç dimensionit politik, edhe aspektet praktike e financiare e bëjnë të domosdoshme shkuarjen në zgjedhje.

Kusari- Lila tha se është evidente që qeveria nuk i ka numrat për të vazhduar dhe çdo përpjekje për bashkëpunim me partitë opozitare aktualisht duket e pamundur.

“Kjo është çështje që është subjekt për diskutim dhe vendimmarrje të partisë më të madhe në vend, Lëvizja Vetëvendosje. Është e qartë dhe evidente se numrat 61 për qeverinë nuk janë krijuar ende. Sa i përket bashkëpunimeve, ajo krejt do të varet nga pozicionet e subjekteve opozitare, por më e mira për qytetarët dhe për kredibilitetin e procesit është shkuarja në zgjedhje të reja”, ka thënë ajo.

Kusari-Lila gjithashtu ka akuzuar partitë opozitare për mungesë vullneti bashkëpunues dhe taktizim në dëm të stabilitetit në vend.

“Përderisa ne po flasim, po i shohim gjatë gjithë kohës deklarimet e këtyre partive në raport me funksionimin e vendit dhe me LVV-në e kryeministrin Kurti. Nuk po shoh frymë apo disponim bashkëpunimi; në të kundërtën, po shoh taktizime që po bëhen në vazhdimësi, fatkeqësisht edhe në çmim të stabilitetit dhe sigurisë në vend”, ka thënë ajo.

Sipas saj, mungesa e opozitës në procesin e votimit për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, është tregues i qartë i qëllimeve të tyre politike.

“Mos pjesëmarrja e tyre në procesin e votimit për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, z. Nenad Rashiq, e ka treguar shumë mirë që llogaritë e tyre nuk kanë të bëjnë me bashkëpunim me LVV, por më shumë me ruajtjen e partneritetit të vjetër me Listën Serbe dhe kultivimin e këtij partneriteti për një qeveri të mundshme nga opozita”, përfundoi ajo.

Të ngjashme

Të fundit