Mimoza Kusari-Lila po e kryeson Komisionin Parlamentar të Stabilizim Asociimit, komision i përbashkët i Kuvendit të Kosovës dhe Parlamentit Evropian.
Në fjalën e saj, Kusari-Lila ka folur për progresin e Kosovës dhe sfidat në të cilat po kalon vendi.
Fjala e plotë:
Sot pasdite filluan punimet e takimit të 9-të të Komisionit Parlamentar të Stabilizim Asociimit, komision i përbashkët i Kuvendit të Kosovës dhe Parlamentit Evropian.
Ky Komision kryesohet nga unë si deputete e Kuvendit të Kosovës dhe Europarlamentarit Romeo Franz nga Parlamenti Evropian.
Në hapjen e punimeve të këtij takimi kam theksuar se Republika e Kosovës, si shteti më pro-evropian në rajon, vazhdimisht ka dëshmuar se nuk i përket askund tjetër veçse Bashkimit Evropian.
Kosova gjatë gjithë kësaj kohe ka bërë progres të vazhdueshëm, duke u nisur nga përkushtimi që ka treguar për përmbushjen e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, si kornizë e politikës evropiane për marrëdhëniet BE-Kosovë.
Që nga takimi ynë i fundit që kemi pasur në mars të këtij viti në Strasbourg, e deri më tani, Kosova ka shënuar progres të prekshëm përkundër sfidave me të cilat përballemi nga jashtë dhe nga brenda. Vendi ynë sot renditet më mirë në indeksin e Transparency International, në indeksin e lirisë së mediave dhe shprehjës së lirë dhe është vend kampion në rajon në bazë të Projektit Botëror për Drejtësi në fushën e reformës së sundimit të Ligjit.
Është për të nënvizuar se sfidë për Kuvendin e Kosovës mbetet mungesa e përfaqësuesve serbë, të cilët fatkeqësisht kanë zgjedhur të bojkotojnë punimet e Kuvendit, duke e privuar zgjedhësit e tyre nga përfaqësimi i duhur dhe duke u rreshtuar pas interesave të Serbia dhe strukturave ilegale në veri, duke u angazhuar me veprime dhe politika destruktive ndaj Kosovës.
Me këtë bojkot ata po dëmtojnë dhe po pamundësojnë miratimin e legjislacionit edhe për grupet e tjera minoritare, ku vota e shumicës së deputetëve jo shumicë është i detyrueshëm. Shembull i kësaj pengese është Ligji për Festat Zyrtare, ku komuniteti egjiptian ka kërkuar shtimin e ditës së komunitetit egjiptian si festë memoriale.
Ne e kuptojmë kompleksitetin e rrethanave, dhe mbetemi të përkushtuar ndaj agjendës sonë progresive dhe procesit të reformave aq shumë të nevojshme për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Sistemi ynë i vlerave dhe orientimi i Kosovës nuk është i ndryshëm nga ai i çdo vendi demokratik në Evropë. Përafrimi ynë me BE-në dhe me pjesën tjetër të botës demokratike, duke qëndruar krah Ukrainës në luftën e paprovokuar nga Rusia, duke ndërmarrur një sërë veprimesh konkrete në këtë drejtim, janë një dëshmi se ne qëndrojmë të palëkundur ndaj vlerave të BE-së.
Ndryshe nga shumica e vendeve të rajonit, në Kosovë ka një konsensus të gjerë politik dhe mbështetje për anëtarësimin në BE, me 94% të popullsisë në favor të integrimit në BE. Një nga më të lartat në rajon.
Ndërsa, 19 vjet pas Samitit të Selanikut të vitit 2003, Kosova është vendi i vetëm ballkanik që nuk ka liberalizim të vizave dhe nuk ka aplikuar në Bashkimin Evropian. Sa i përket çështjes së parë, veprimet e mëtutjeshëm janë në anën e BE-së, ndërsa për të fundit, Republika e Kosovës do të aplikojë deri në fund të këtij viti për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Prandaj, nuk është vetëm koha e duhur për aplikim, por shprehje e vullnetit të popullit.
Për sa i përket dialogut me Serbinë, ne besojmë se statusi i kandidatit në BE do të ishte i favorshëm për dialogun. Serbisë i është dhënë statusi i kandidatit në vitin 2012,
Sot Serbia vazhdon procesin e anëtarësimit në BE dhe paralelisht vazhdon dialogun si pjesë e procesit të kapitullit 35, pavarësisht qëndrimit destruktiv dhe shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut ndaj komunitetit shqiptar në Serbi dhe kërcënimeve e sulmeve të vazhdueshme ndaj serbëve që jetojnë në veri të Kosovës, të cilët janë të gatshëm për t’u integruar në sistemin ligjor të Kosovës.
Sulmet e fundit ndaj pronave të serbëve të Kosovës në veri, duhet të merren me vëmendje dhe të shërbejnë si një mesazh i qartë për çdo vend të BE-së, veçmas për qëndrimin dhe standardet që përdor Serbia ndaj pakicave që jetojnë në Serbi dhe kërkesat që ka për minoritetin serb në Kosovë.
Ne nuk kemi parë dhe as përjetuar veprime të ashpra dhe të prera nga BE-ja ndaj Serbisë për qëndrimet kundër vlerave të BE-së dhe të drejtave themelore të njeriut. Në të kundërten, gjuhë tjetër, gjithmonë më e ashpër është ushtruar ndaj Kosovës, pavarësisht të gjitha përpjekjeve tona për të respektuar dhe zbatuar politikat e BE-së.
Kjo asimetri po e dëmton dialogun dhe po nxit Serbinë për të bllokuar progresin e Kosovës.
Kjo qasje duhet të NDRYSHOJ dhe ne llogarisim te ju miqtë dhe aleatët tanë nga Parlamenti Evropian për të na mbështetur në përcjelljen e mesazhit të duhur tek institucionet e tjera të BE-së.
Ne mbetemi të përkushtuar në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian dhe besojmë se BE-ja mbetet po aq e përkushtuar për zgjerimin e saj, ku përfshihet Kosova dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, duke rikujtuar se BE-ja nuk është e plotë pa e integruar këtë pjesë të Evropës.
Komisioni parlamentar për SA vazhdon punimet edhe nesër në Kuvendin e Kosovës!