Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila ka përmendur zgjedhjet, duke mos e përjashtuar zgjedhjet e parakohshme.
Kusari-Lila ka thënë se në fund të vitit mund të ketë zgjedhje të përgjithshme të rregullta, duke respektuar kalendarin zgjedhor.
“Në mars hyjmë në vitin e katër qeverisës. Sipas kalendarit zgjedhor ka mundësi që deri në fund të vitit të organizojmë zgjedhje të rregullta të cilat do të jenë në përputhje me kalendarin zgjedhor, i cili në të kundërtën do të ishte në shkurt të vitit 2025. Por, para dhe pas në periudhën 60 ditore ka mundësi të diskutimit ndërmjet subjekteve politike me presidenten e vendit për të gjetur një datë të përbashkët. Prandaj, nuk do të ishte risi nëse Kosova do të ballafaqohet me proces zgjedhur këtë vit. Pra nuk do të ishte krejtësisht e jashtëzakonshme.” – ka deklaruar ajo në RTK.
Ajo gjithashtu ka thënë se në Vendvendosje nuk është duke u diskutuar për zgjedhje, por është mobilizuar për përmbushjen e premtimeve, sepse është viti i fundit qeverisës.
Ndër të tjera ajo e ka cilësuar opozitën si opozitë që nuk ka ide kreative për zhvillimet në Kosovë.