Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se fakti që VV-ja është i përbërë nga një grup heterogjen, menaxhimi i grupit nuk është aspak i lehtë.
Duke folur për akuzat e deputetit Haki Abazi se ajo e ka përçarë grupin dhe për akuza të tjera, deputetja Kusari-Lila i ka mohuar të gjitha.
“Nuk është hera e parë që ai ka shprehur këndvështrimet e tij në raport me dinamikën e grupit dhe kështu nuk është se kemi pasur pak vëmendje të opinionit publik. Më duhet të them që përkundrejt që grupi parlamentar më i madhi në Kosovë me 58 deputetë që kanë dalë nga zgjedhjet, mendoj se në dinamikë dhe në bashkëpunim kemi shënuar e para progres dhe e dyta praktika të mirëfillta demokratike. Prej fillimit e kemi ditur që jemi grup shumë heterogjen, nuk ka pasë homogjenitet, ka pasë disa grupime politike që janë bo bashkë dhe grupime të njerëzve që s’kanë qenë në politike. Diversiteti ka shku vlerë, menaxhimi i grupit nuk është aspak i lehtë në kuptimin e pritjeve që i kanë të tjerët karshi nesh, megjithatë në kuptimin e funksionimit të mirëfilltë demokratik, procedurës së komunikimit, koordinimit, asnjë nga ato pretendime nuk qëndron”, ka thënë Kusari-Lila.
Kusari-Lila ka shtuar se Abazi është i vetmi nga 58 deputetët që merret me individë në veçanti.
“Kategorizimet individuale, ofendimet dhe fyerjet për kolegët deputet të mbeten në ndërgjegjen e tij ndërsa për të tjerat unë sot në një konferencë për media thashë se jemi 58 dhe ai është i vetmi që në këtë mënyrë dhe me këto kategorizime prezanton dinamikën e grupit, merret me individë në veçanti. Prandaj, nuk kam dashur asnjëherë që t’i bëjmë tema që mbahen aktive në media por ato të mbesin bashkë me të dhe përgjegjësitë që para ligjit i ka, por për të tjerat ne vazhdojmë funksionimin dhe në secilin proces ku ka pasur diversitet të mendimeve, komunikimi i mërfilltë është çelësi i gjetjes së pozicioneve të përbashkëta”, ka deklaruar ajo në ResPublika në Tëvë 1.
Kusari-Lila ka thënë se ajo është zgjedhur si udhëheqëse e grupit me propozim të kryetarit të VV-së, Albin Kurti dhe me miratim të deputetëve.
“Po bazohem në disa elemente që janë faktike, e para unë me VV-në jam në bashkëpunim që nga 2019 në një listë të përbashkët përkundër që bashkëpunimin e kemi filluar prej 2017 dhe pastaj e dini dramën e asociuar me rrëzimin e Qeverisë Kurti 1. Ka qenë verdikti i votuesve për të më dhënë mua një pozicion që përveçse ka dyfishuar numrin e votave nga 2019-2021, ka hapur besimin e deputetëve. Unë jam zgjedhur nga deputetët e VV-së me propozimin e kryeministrit si udhëheqëse e grupit. Jam një prej personave më të votuar në Kosovë”.
“Sikur të ndodhte ajo që ju po thirreni nga deklaratat e zotit Abazi nuk do të ishte ai vetëm që deklaronte një gjë të tillë por edhe të tjerët. Grupi prej 58 deputetëve është goxha i madh, është gjysma e Kuvendit dhe të kesh një nga 58 duhesh thirrur mendjes shumë seriozisht për atë se sa kanë bazë ato deklarata”, ka shtuar Kusari-Lila.