Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pas dështimit të përpjekjes së 19’të për konstituimin e Kuvendit, ka thënë se e kanë të paqartë se cila është kërkesa e partive që deri vonë ishin në opozitë.
Sipas Kusari-Lilës, bllokuesit për konstituimin e Kuvendit janë PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe që s’po marrin pjesë në votimin për Komisionin për votim të fshehtë, për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.
“Këto votimet e fundit janë votime të cilat nuk ka pjesëmarrje të përfaqësuesve të partive opozitare. Në situatën aktuale, e kemi të paqartë se cila është kërkesa e opozitës. Cili është qëllimi i opozitës. Në rrethanën në të cilën jemi, është një situatë ku bllokuesit e vetëm janë partitë që nuk marrin pjesë në votim”, tha Kusari-Lila.
Ajo shtoi se nëse këto parti duan të bëjnë Qeveri vetë, së pari duhet ta konstituojnë Kuvendin.