Deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se konstituimi i Kuvendit po bllokohet qëllimshëm, pasi sipas saj ka disa deputetët opozitarë që kanë qëndrim pozitiv për ta votuar Albulena Haxhiun.
Për të 13-tën herë, as të premten nuk arriti të konstitutohet Kuvendi i Kosovës.
Ashtu si në gjithë seancat e kaluara, edhe kësaj radhe Albulena Haxhiu nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur kryeparlamentare.
Për këtë, sipas deputetes së Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, faj kanë partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.
Për tëvë1, Kusari-Lila hodhi akuza se kjo po bëhet qëllimshëm.
“Nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, ne besojmë që argumentimi në cilëndo formë për karakterin apo personalitetin e zonjës Haxhiu ka të bëjë më shumë me refuzimin e tyre për të miratuar një propozim të Lëvizjes Vetëvendosje, për arsye se ne mund të shkojmë me listë të gjatë te kandidatët për të cilët do të ishin argumentet e njëjta, ndoshta më ndryshe por prapë jopranim nga ana e këtyre partive që sot deklarojnë se nëse ndërrohet kandidati do kishin votë për”, tha Kusari-Lila.
Por cila është arsyeja, sipas saj, që PDK, LDK, E AAK po kundërshtojnë votimin e fshehtë?
“Jam e bindur se deklarimet e deritashme që kanë pasur dhe nga interesimi i deputetëve, në veçanti, deputetëve të ri për të konstituar dhe vazhduar punën legjislatura e nëntë, që do mund t’i kishte votat për, megjithatë ky insistim i partive opozitare po tregon njëfarë forme pasigurinë e tyre ndaj deputetëve të vetë në raport me këtë votim”, tregon ajo.
E pyetur për qëndrimin e deputetes, Duda Balje, për të mosvotuar propozimin e Vetëvendosjes, Kusari-Lila thotë se ajo është ndikuar nga jashtë.
“Nuk dëshiroj të bëj spekulime por është evidente që përderisa ka pasur edhe ajo, edhe subjekti që ajo përfaqëson, aspirata për të qenë pjesë e Qeverisë kur është ofruar pjesëmarrja në Qeveri pastaj ky qëndrim ka ndryshuar, dmth ka pasur ose faktor të jashtëm, jashta subjektit të saj politik që ka ndikuar në vendimin dhe veprimin e saj”, deklaroi Kusari-Lila.
Kusari-Lila bëri të ditur se Vetëvendosje nuk i ka ende numrat për ta formuar Qeverinë Kurti 3.
“Krejt kjo çfarë po ndodhë tash, duket se është njëfarë forme për të parandaluar për të ndodhë ardhja e Qeverisë Kurti 3 përkundër se çdo gjë do të ishte më e qartë në raport edhe me numrat edhe me marrëveshjen politike. Deri më tani marrëveshje të finalizuar politike në raport me Qeverinë Kurti 3 nuk ka me partitë politike apo deputetë të tjerë”.
Tentimi i radhës për konstituimin e Kuvendit do të jetë të dielën e 11 majit nga ora 10:00.