Home Lajme Kurtit i kërkohet përgjegjësi për shkeljet në Ligjin për zyrtarët publikë

Kurtit i kërkohet përgjegjësi për shkeljet në Ligjin për zyrtarët publikë

0
Kurtit i kërkohet përgjegjësi për shkeljet në Ligjin për zyrtarët publikë
Një ditë pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese për t’i rrëzuar tetë nene të Ligjit për zyrtarët publikë, partitë opozitare kanë akuzuar qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti për shkelje kushtetuese. Sipas përfaqësuesve të PDK-së e LDK-së, Kurti duhet të japë përgjegjësi e ministrat përgjegjës duhet të shkarkohen, pas konstatimit të shkeljeve në këtë ligj

Përgjegjësi nga kryeministri Albin Kurti kërkuan të premten përfaqësues të dy partive më të mëdha opozitare, pas vendimit të Gjykatës Kushtetueses lidhur me Ligjin për zyrtarët publikë. Në aktvendimin e së enjtes, Gjykata, pas shqyrtimit të kërkesave nga PDK-ja e LDK-ja për verifikimin e kushtetutshmërisë së ligjit, i rrëzoi tetë nene të tij.

Faton Fetahu, avokat i PDK-së, teksa i numëroi shtatë vendime e ligje të institucioneve te të cilat Kushtetuesja gjeti shkelje viteve të fundit, theksoi se sfidimi i sistemit kushtetues e përbën veprimtarinë të suksesshme të kryeministrit. E për vendimin e fundit, ai tha se Kushtetuesja mbrojti jo veç administratën shtetërore, por edhe me miliona investime në të.

“Përmes këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese u rrënuan përpjekjet e kësaj qeverie për të vënë kontroll të plotë e të centralizuar mbi administratën e shtetit”, ka thënë Fetahu.

E përfaqësues të LDK-së, qeverisjes i adresuan akuza për shkelje të Kushtetutës për pushtet.

Shkëmb Manaj, anëtar i kryesisë së kësaj partie, theksoi se në vend se të përjashtohen, anëtarët e ekipit qeverisës që kanë shkelur Kushtetutën po mbrohen nga kryeministri.

“Në vend që të përjashtohen nga ekipi qeverisës, ata mbrohen e çmohen nga i pari i tyre. Nga i pari që sa ishte në opozitë thoshte se kush e shkel ligjin e shkel kriminel, ndërsa kush e shkel Kushtetutën është super kriminel. E sot kush e shkel ligjin është i shpërblyer nga Albin Kurti e kush e shkel Kushtetutën është super i shpërblyer nga Albin Kurti”, është shprehur Manaj.

Në aktvendimin e së enjtes, Kushtetuesja i hapi rrugë dekretimit të Ligjit për zyrtarët publikë pa nenet e rrëzuara.

Aktualisht, Gjykata po e bën shqyrtimin edhe të pesë ligjeve të tjera, shumica e të cilave janë dërguar në Kushtetuese nga partitë opozitare.

Exit mobile version