Përgjegjësi nga kryeministri Albin Kurti kërkuan të premten përfaqësues të dy partive më të mëdha opozitare, pas vendimit të Gjykatës Kushtetueses lidhur me Ligjin për zyrtarët publikë. Në aktvendimin e së enjtes, Gjykata, pas shqyrtimit të kërkesave nga PDK-ja e LDK-ja për verifikimin e kushtetutshmërisë së ligjit, i rrëzoi tetë nene të tij.
Faton Fetahu, avokat i PDK-së, teksa i numëroi shtatë vendime e ligje të institucioneve te të cilat Kushtetuesja gjeti shkelje viteve të fundit, theksoi se sfidimi i sistemit kushtetues e përbën veprimtarinë të suksesshme të kryeministrit. E për vendimin e fundit, ai tha se Kushtetuesja mbrojti jo veç administratën shtetërore, por edhe me miliona investime në të.
“Përmes këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese u rrënuan përpjekjet e kësaj qeverie për të vënë kontroll të plotë e të centralizuar mbi administratën e shtetit”, ka thënë Fetahu.
E përfaqësues të LDK-së, qeverisjes i adresuan akuza për shkelje të Kushtetutës për pushtet.
Shkëmb Manaj, anëtar i kryesisë së kësaj partie, theksoi se në vend se të përjashtohen, anëtarët e ekipit qeverisës që kanë shkelur Kushtetutën po mbrohen nga kryeministri.
“Në vend që të përjashtohen nga ekipi qeverisës, ata mbrohen e çmohen nga i pari i tyre. Nga i pari që sa ishte në opozitë thoshte se kush e shkel ligjin e shkel kriminel, ndërsa kush e shkel Kushtetutën është super kriminel. E sot kush e shkel ligjin është i shpërblyer nga Albin Kurti e kush e shkel Kushtetutën është super i shpërblyer nga Albin Kurti”, është shprehur Manaj.
Në aktvendimin e së enjtes, Kushtetuesja i hapi rrugë dekretimit të Ligjit për zyrtarët publikë pa nenet e rrëzuara.
Aktualisht, Gjykata po e bën shqyrtimin edhe të pesë ligjeve të tjera, shumica e të cilave janë dërguar në Kushtetuese nga partitë opozitare.