Kryetari i Shoqatës së Turizmit të Kosovës, Ruzhdi Kurtishaj, ka thënë se ngritja e çmimeve gjatë muajit korrik në resortet dhe hotelet në Shqipëri po e dëmton përvojën e pushuesve por edhe po rrezikon të ndikojë negativisht në zhvillimin afatgjatë të turizmit në Shqipëri.
Kurtishaj tha se ky shqetësim ka kaluar kufijtë dhe është bërë temë diskutimi edhe në media ndërkombëtare, përfshirë sipas tij, gazetarë dhe media italiane që kanë raportuar për çmimet e papërballueshme në Shqipëri.
“Është thelbësore të kuptohet se shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut nuk janë turistë sezonalë. Ata janë të pranishëm në Shqipëri përgjatë gjithë vitit, 12 muaj te vitit dhe kontribuojnë në mënyrë të qëndrueshme në ekonominë vendase si në hoteleri, gastronomi, transport dhe sektorë të tjerë”.
“Nëse kjo kategori e rëndësishme e vizitorëve apo pushuesve ndjehet e përjashtuar apo e zhgënjyer për shkak të çmimeve të tepruara, pasojat nuk do të ndihen vetëm këtë verë , do të jenë afatgjata dhe të rënda për industrinë turistike shqiptare”, shkroi Kurtishaj.
Tutje, ai u shpreh se turizmi nuk mund të ndërtohet mbi abuzime dhe fitime të shpejta, teksa shtoi se turizmi kërkon planifikim, përgjegjësi dhe ndërtim të një marrëdhënieje të ndershme me vizitorë e turistë.
“Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik, por ai nuk duhet të rrezikohet për shkak të mungesës së kontrollit dhe lakmisë sezonale te disa individëve apo subjekteve hoteliere”.
“Nëse vazhdohet me këtë trend, atëherë shqiptarëve të Kosovës do t’u mbetet të pushojnë në Shqipëri vetëm gjatë muajve mars–qershor dhe shtator – tetor, periudha jashtë sezonit të lartë , sepse korriku dhe gushti po bëhen të papërballueshëm”, tha kryetari i Shoqatës së Turizmit të Kosovës, Ruzhdi Kurtishaj.