Kreu i Shoqatës së Turizmit në Kosovë dhe drejtori i “Sharr Travel”, Ruzhdi Kurtishaj, ka deklaruar se Shqipëria mbetet destinacioni kryesor për qytetarët e Kosovës, jo vetëm gjatë sezonit veror, por gjatë gjithë vitit.
Ai tha se shqiptarët e Kosovës udhëtojnë drejt Shqipërisë për festa kombëtare, kulturore, trajnime, vizita familjare dhe seminare.
Sipas Kurtishajt, pas përfundimit të muajit të Ramazanit, është vërejtur një rritje e ndjeshme e fluksit turistik drejt Shqipërisë krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa festa e Bajramit ka sjellë një “bum turistik” në vend.
“Në vitin 2024 ne kishim një shmangie të bregdetit shqiptar, por jo për të ndërruar, por për vizita të ndryshme në vendet e Evropës. Dhe me mbarimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, numrat flasin për një rritje të turizmit Kosovë – Shqipëri. Dhe tashmë duke pasur parasysh se Shqipëria është shndërruar në një destinacion turistik ndërkombëtar nga veri deri në jug. Shqiptarët e Kosovës në këtë treg turistik, sigurisht që kanë rolin e tyre. Shqipëria mbetet destinacioni kryesor për shqiptarët e Kosovës, nuk janë vetëm për sezonin turistik veror se 12 muajt e vitit qoftë për festa kombëtare, kulturore, trajnime seminare e vizita familjare dhe festa të tjera ata janë aty dhe e pamë qe festa e bajramit ishte një bum i madh turistik”, theksoi Kurtishaj në OraNews.
Ai shtoi se Shoqata e Turizmit në Kosovë po punon ngushtë me operatorët turistikë shqiptarë dhe median për të promovuar ofertat turistike, ndërsa theksoi rëndësinë e bashkëpunimit për shkëmbimin e fuqisë punëtore në sektorin e turizmit mes dy vendeve.
“Ne si Shoqatë kemi bërë një punë jashtëzakonisht me operatorët turistikë atje, por edhe në bashkëpunim me median po përpiqemi të jemi vazhdimisht prezent për të promovuar turizmin shqiptar. Dhe po ashtu për të rritur kapacitetet humane mes dy vendeve, ku të rinj nga Shqipëria të punësohen në Kosovë dhe e anasjella, pasi turizmi në Shqipëri nuk ëhstë një sezon tre mujor, por është një turizëm gjithë-vjetor”, u shpreh Kurtishaj