Gjatë ditës së nesërme nuk pritet të ketë takimi midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Kjo është bërë e ditur nga ana Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano.
Stano në konferencë për media të mërkurën, ka thënë se të enjten në Bruksel do të jenë Kurti e Vuçiq, por do të kenë takime individuale me liderë të caktuar të BE-së.
“Takimet e planifikuara janë vazhdimësi e vizitës së emisarit Lajçak në Beograd e Prishtinë gjatë fundjavës, i cili ishte i shoqëruar nga këshilltarët e jashtëm dhe të sigurisë të liderëve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, si dhe emisarin e SHBA-së. Pra, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, janë ftuar në Bruksel për një seri të takimeve individuale me liderë të caktuar të BE-së. Në këtë fazë nuk do të futem në detaje logjistike, do t’i bëjmë të ditura më vonë. Por, ideja është të kemi takime në margjina të Këshillit Evropian”, ka thënë Stano.
Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.