Në përvjetorin e 24-të të rrëmbimit të 11 burrave dhe djemve të Gjakovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi shtëpinë-muze të familjes Qerkezi, ku u prit nga Nëna Ferdonije Qerkezi.
Kryeministri Kurti e falënderoi Nënën Ferdonije për qëndrueshmërinë dhe guximin që po i jep mbarë popullit shqiptar. Ai tha se forcat serbe nuk i kanë marr katër djemtë dhe bashkëshortin e saj sikurse dhe shumë e shumë të tjerë se kanë qenë të familjes Qerkezi, por sepse kanë qenë shqiptarë dhe e kanë dashur vendin e tyre.
Bashkë me Nënën Ferdonije ishte edhe Nëna Dudije Dylhasi, së cilës forcat serbe ia kanë rrëmbyer djalin Myrteza dhe bashkëshortin Skënderin.
Gjatë vizitës së tij Kryeministri ka shkruar në librin e kujtimeve: “Artani e Armendi, Ardiani e Edmondi, janë djemtë që i mungojnë Nënës Ferdonije, sepse ishin shqiptarë si të gjithë NE, që e donin vendin e tyre. Tash jemi të gjithë djem të saj, e ajo është Nënë e gjithë popullit tonë, sepse çdonjëri e njeh dhe e don si nënë. 24 vjetët nga rrëmbimi i katër djemve dhe i bashkëshortit Halimit nuk ia kanë zvogëluar dhembjen por ia kanë shtuar forcën që ajo e ka bartur te ne të gjithë. E duam si Nënë, e admirojmë si Heroinë, i falënderohemi për jetë, i kemi borxh secili.“
Në këtë vizitë bashkë me Kryeministrin Kurti ishte edhe Andin Hoti, Kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, si dhe Ministrja e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Abërie Nagavci dhe deputetja Mimoza Kusari, që të dyja të të njëjtit brez me Artan Qerkezin e Myrteza Dylhasi në shkollë në Gjakovë, dhe prof. Jahja Koka që ishte në të njëjtën klasë me Halim Çerkezin. Ministrja Nagavci, ishte po ashtu edhe arsimtare e Edmond Qerkezit, i cili u rrëmbye dhe zhduk në moshën 14 vjeçare.