Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti e ka vizituar sot “Kopshtin Ndërkombëtar”, një nga institucionet më cilësore parafillore në kryeqytet.
Në vizitën atje, Kurti u ka lexuar fëmijë përralla ndërsa iu ka rrëfyer edhe për shërbimin ndaj vendit.
“Kureshtja e fëmijëve dhe dëshira për dije është e pafundme. Pyetjet e tyre janë shumë të sinqerta e nganjëherë nuk është aq e lehtë që t’iu përgjigjesh. Në kopshtin ndërkombëtar në Prishtinë, ku fëmijët po mësojnë gjatë këtyre ditëve mbi profesionet, ndava momente të çmueshme mes tyre të cilët që në edukim të hershëm po vendosin bazat e të ardhmes së tyre. I tregova mbi punën dhe shërbimin ndaj vendit në katër vitet e fundit si kryeministër, dhe rëndësinë e angazhimit për qytetarët e të përgjegjësisë ndaj shtetit.
Librin “Me pak fjalë, Shkolla”, ua lexova me kujdes dhe përkushtim, ndërsa ilustrimet dhe fjalët e shprehura në libër do i shërbejnë si hapa të parë drejt edukimit arsimor e nxitjes së vëmendjes dhe përqendrimit. Shkronjat lidhen në fjalë, fjalët në fjali, e fjalitë në tregime e kuptime. Njohja e lidhja mes tyre zbulon një univers të ri të dijes për të vegjëlit” shkruan Kurti në Instagram.