Në kuadër të këtij projekti për renovime përfshihet edhe digjitalizimi i pjesës hyrëse të Klinikës, pra tek recepsioni, i cili do të lehtësoj punën e stafit dhe do të minimizoj pritjet e gjata të pacientëve për të marrë shërbime.
Heronj të heshtur të gjallë, kështu i quajti kryeministri Kurti, mantelbardhët ndaj të cilëve shprehu falënderime dhe mirënjohje të thellë për angazhimin, kontributin, punën dhe përkushtimin e pandalshëm. “Le ta shfrytëzojmë këtë vizitë që t’ua kthejmë një pjesë të vogël të borxhit të pamatshëm që në parim është i pakthyeshëm”, përfundoi kështu kryeministri.
Ndërkaq, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se ashtu siç ishim dakorduar që Gjinekologjia të jetë në prioritet të kësaj qeverie për investime dhe përmirësimin e kushteve për gratë e vajzat tona, jam i lumtur që jemi pothuajse në mbarim të punëve të cilat i kemi diskutuar, e që në fillim na janë dukur të pamundshme.
“Jam i lumtur që pas këtyre renovimeve kushtet e juaja dhe potenciali i juaj për të dhënë shërbime sa më të mira për pacientet tona do të jetë në një nivel tjetër”, tha ai, duke falënderuar drejtorin e SHSKUK-së dhe atë të QKUK-së për bashkëpunimin dhe koordinimin e jashtëzakonshëm në arritjen e kësaj objektive
Me këtë rast, edhe Drejtori i Gjinekologjisë, Dr.Zef Ndrejaj, tha se në këtë projekt që po punohet në jetësimin e tij, do të futen 3 shërbime të reja pas renovimeve që po bëhen në Klinikën e Gjinekologjisë, shërbime këto që përfshijnë Fertilizimin e Asistuar Mjekësor, i cili pritet që shumë shpejtë të funksionalizohet pasi që pajisjet veçse janë në tenderim, Mjekësinë Fetale, Shërbimin e Amnoicentezës, ku ky i fundit nënkupton identifikimin e anomalive tek fëmijët në barkun e nënës që në muajt e parë të formimit. Ai shtoi se këto shërbime do të bëhen për herë të parë në Republikën e Kosovës, në QKUK, gjegjësisht në Klinikën Gjinekologjike.
Kryeministri i shoqëruar nga ministri Vitia, Drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi, Drejtori i QKUK-së, Osman Hajdaraj dhe Drejtori i Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj, zhvilluan një takim me stafin e kësaj klinike, të cilët shprehen falënderime dhe mirënjohje për mbështetjen që vjen nga Qeveria përmes krijimit dhe përmirësimit të kushteve të punës, e cila për ta nënkupton edhe inkurajim e përkushtim më të lartë në ofrimin e shërbimeve më cilësore për pacientët.