Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, drejtues të institucioneve të sigurisë e deputetë të Kuvendit, vizitoi sot familjen Bunjaku, për të vazhduar pastaj bashkë me
Duke kujtuar rënien heroike të rreshterit Afrim Bunjaku, kryeministri Kurti tha se ishte një rënie, e cila e ngriti Republikën e Kosovës, shtetin tonë të pavarur edhe së brendshmi, por edhe në reputacionin e saj ndërkombëtar, sepse kemi të bëjmë me një shtet, i cili i del zot vetvetes dhe, i cili ka policë që sakrifikohen për të mbrojtur qytetarët pa dallim, duke e mirëmbajtur rendin publik dhe sundimin e ligjit.
“Tash, të gjithë ne bashkë, jemi pjesë e familjes Bunjaku, të bashkëshortes Lumnije, të fëmijëve, Arbenitës, Jetlumit e Fatlumit, sepse Afrim Bunjaku i përket Republikës së Kosovës dhe gjithë popullit, që do ta mbajë për jetë e mot në zemrat e veta këtë hero të Kosovës”, u shpreh kryeministri Kurti.
Ai u bëri thirrje faktorëve ndërkombëtarë, që të mos e konsiderojnë Serbinë shtet normal, përderisa ajo nuk i dorëzon kriminelët e Serbisë, të organizuar dhe udhëhequr nga Millan Radojçiq dhe të financuar e të mbështetur nga Beogradi zyrtar dhe presidenti atje, Aleksander Vuçiq.
“Aktakuza i përfshinë 45 persona. Këta duhet të dorëzohen menjëherë shtetit të Kosovës, ku ka aktakuzë për ta dhe panumër fakte e argumente për përfshirjen e tyre në këtë vrasje të Afrim Bunjakut dhe në këtë sulm agresor e terrorist të tyre. Në të njëjtën kohë, duhet të theksojmë edhe faktin tjetër, që kjo është një betejë e fituar nga Policia e Kosovës për Republikën e Kosovës dhe gjithë qytetarët pa dallim.
Ndërkaq, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se një ditë si kjo para dy vitesh që filloi si jashtëzakonisht e rëndë, por edhe e dhimbshme, përfundoi ndër më krenaret në historinë e Republikës së Kosovës.
“Lavdi Afrim Bunjakut! Lavdi të gjithë dëshmorëve të Republikës së Kosovës, e mirënjohje pafund për të gjithë ata që sollën që kjo ditë me të vërtetë të mbetet ditë e shënuar ku integriteti dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës veçse u forcuan”, tha ministri Sveçla.
Në këtë përvjetor, sot nga ora15:00, në Prishtinë do të organizohet akademi përkujtimore në nderim dhe kujtim të heroit Afrim Bunjaku.