Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen zyrtare të konferencës së Samitit të Ballkanit Perëndimor 2024, organizuar nga The Economist Group, në Prishtinë.
Si folësi kryesor, në adresimin e tij në këtë konferencë, kryeministri Kurti, tha se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e demokracisë dhe sigurisë, ndërsa vendi ynë është në krye të rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor edhe për vitin e ardhshëm, siç ka konfirmuar dhe Banka Botërore. Më tej, ai foli mbi suksesin e vendit tonë në tri vitet e fundit jo vetëm në fushën e ekonomisë, por edhe sundimit të ligjit, të drejtat politike dhe të njeriut, liritë civile e demokratizimin.
Kryeministri Kurti theksoi dhe punën e zhvilluar në sektorë e dikastere të ndryshme, ku veçoi arsimin e bujqësinë, mbrojtjen e sigurinë, shëndetësinë, energjinë dhe infrastrukturën si dhe teknologjinë.
“Vizioni ynë për Kosovën është siguria dhe prosperiteti rajonal. Zhvillimi ekonomik është në qendër të këtij vizioni. Duke investuar në infrastrukturë, arsim dhe teknologji, ne synojmë të krijojmë një ekonomi të gjallë nga e cila përfitojnë të gjithë qytetarët dhe nuk lë askënd pas. Reformat tona ekonomike së fundmi, jo vetëm që kanë tërhequr investime të huaja, por kanë shtyrë përpara edhe industritë vendase, duke i hapur rrugën rritjes së qëndrueshme. Bashkëpunimi rajonal është jetik për arritjen e synimeve tona”.
Në mesin e shumë personaliteteve e pjesëmarrësve në konferencë, ishte dhe ish- Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, George Robertson, që po qëndron në Kosovë në kuadër të shënimit të 25- vjetorit të çlirimit tonë, e të cilit kryeministri i uroi mirëseardhjen në vendin tonë.
Pas fjalimeve hyrëse të pjesëmarrësve në këtë konferencë, Kryeministri Kurti mori pjesë edhe në panelin e diskutimit në kuadër të Samitit “The Western Balkans 2024”, gjatë të cilit u përgjigj në pyetjet dhe çështjet e ngritura.